13:23 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Argumenti që gratë s’i duan punët që paguhen mirë, nuk vlen më

Të paguhesh njësoj për të bërë njëjtën punë duket si koncept fare i drejtë. Kush mund ta kundërshtojë këtë

Teorikisht, askush. Por kemi parë që ka mënyra të ndryshme për të mos i paguar gratë aq sa burrat, dhe për t’i ndarë punët në të rëndësishme e më pak të rëndësishme. Thuhet shpesh se gratë nuk duan të njëjtat punë që duan burrat. Ne jemi shumë më të ekuilibruara, shumë inteligjente, shumë të kujdesshme për të pasur ato lloj prirjesh. Rroga. Vetëm kur e përmend është e sikletshme. Kur fillova të shkruaj në gazeta, vite më parë, paguhesha më pak se gjysma e kolegëve meshkuj. Nuk e dija këtë deri sa fitova një çmim dhe kërkova rritje rroge. Gjërat ndryshuan.

Në një gazetë tjetër më thanë të mos e tregoj se sa e kam rrogën, pasi ishte më e lartë se rroga e një opinionisti tepër arrogant.Kjo është vetëm një industri e vogël, por të mos treguarit e rrogës është pjesë e problemit që na pengon të kuptojmë se si funksionon hendeku gjinor te paga. Një kontroll shtetëror, pas miratimit të ligjeve të reja, po detyron kompanitë të tregojnë hendekun gjinor në paga, duke e prishur këtë fshehtësi të rrogave.Rezultatet e nxjerra deri tani nuk duken mirë. As kur përpiqesh të deshifrosh arsyet që jepen për ndryshimin midis pagave. Le të shohim sektorin publik, më parë: këshillat vendore, departamentet qeveritare, shkollat dhe spitalet. Mesatarisht, gratë paguhen 14% më pak se kolegët e tyre meshkuj. Dy të tretat e këshillave kanë një hendek të madh në pagën midis gjinive, ashtu si dhe 90% e shërbimit shëndetësor. (Hendeku përcaktohet në bazë të pagesës për çdo orë pune të femrave, pastaj shprehet se sa përqind e rrogës së meshkujve është ajo shifër).

Shumica ndoshta mendon se shkollat dhe spitalet janë vende ku ka barazi. Aspak. Edhe pse 77% e stafit të shëndetësisë janë femra, hendeku në paga është i madh. Për shembull, hendeku më i madh ishte në spitalin “Queen Victoria” në Uest Suseks, me gratë që merrnin 59 cent për çdo 1 sterlinë që merrte një burrë. Një të tretat e stafit janë femra, por më të paguarit janë kryesisht burra. Në shumë vende pune të administratës publike, menaxherët dhe ata që marrin vendimet janë kryesisht burra dhe të paguar mirë.Kjo vjen që nga sistemi universitar. Çdo universitet i Grupit Russell i paguan gratë më pak se burrat. Hendekun më të madh e ka universiteti Durham, me 29%.Pabarazia në nivele këshillash lokale është po ashtu tronditëse. 65% e stafit në North Hertfordshire janë femra dhe 35% burra, megjithatë kishin hendekun më të madh, në rreth 34%. Dhe s’kam përmendur sektorin privat (Macquarie 41%; Karen Millen 49%; Ryanair 72%; Apple UK 24%).Një pjesë e kësaj shpjegohet te zgjedhja.

Ryanair thotë se ka pak gra që duan të bëhen pilote: por çfarë ndodh te kompanitë e tjera të renditura në FTSE, këshillat lokalë dhe departamentin e shëndetësisë kur punët më të mira u jepen burrave? Kam parë edhe emërime “klon” në media, kur një djalë i ri merr rritje në detyrë, por jo koleget e tij femra, sepse ai i kujton shefit veten e vet kur ishte i ri.Burrat shihen si më të angazhuar në punë, meqë për familjet e tyre kujdesen të tjerë. Sigurisht, ndoshta nuk ka shumë punë për jetën, por s’ka shumë punë të mira për gratë që e krijojnë jetën. Shtatzënia është shenjë që ul angazhimin. Pavarësisht përparimeve të shumta që janë bërë, gratë fitojnë më pak edhe kur kthehen në punë pasi kanë lindur një fëmijë. Sigurisht, të qenit prind do ta ndëshkojë financiarisht gjatë të gjithë jetës.Kjo problem shkon përtej barazisë gjinore në paga. Shkon te fakti që një grua jep shërbim të papaguar, dhe kjo ndikon zgjedhjet e saj në jetë. Përveç fëmijëve, asaj i duhet të kujdeset edhe për pjesëtarë të tjerë të familjes dhe kjo, sërish, do të thotë punë me kohë të pjesshme e paguar pak.Prandaj, hendeku gjinor nuk është vetëm që çdo person të paguhet njësoj për të bërë të njëjtën punë: është përpjekje për të zvogëluar pabarazitë në strukturën e sistemit. Punonjësit me kohë të pjesshme duhet të regjistrohen në sindikata dhe puna me kohë të pjesshme nuk duhet parë më si fati i jetës së grave, apo si një shenjë që gratë janë më pak ambicioze se burrat. Si qenka e drejtë të kesh burra të paguar mirë në role drejtuese, të cilëve u shërbejnë femra, femra që ndëshkohen po të lindin fëmijë?Ajo që perceptohet si zgjedhje për gratë nuk është dhe aq zgjedhje.

Një grua që fiton shumë mund të përballojë të paguajë persona të tjerë për çështjet familjare; vjen një pikë që me të ardhurat mund të mbulosh edhe pagesën e dikujt tjetër që të bëjë detyrat e prindit. Por kjo nuk ndodh për shumicën.Pjesa që shërben më shumë për të na hapur sytë nga këto shifra është që sektori publik nuk është më mirë se privati. Edhe ky sektor duket se e pranon idenë që gratë nuk i duan punët më të mira ngaqë kanë shumë stres. Pothuajse mund t’i dëgjosh prezantuesit e BBC që fitojnë më shumë e që besojnë se burrat kanë të drejtë të marrin më shumë para. Mungesa e ambicies femërore mund të jetë një pjesë e shpjegimit, por të jetë vërtet në çdo industri? Në çdo sektor?Mund të bëjmë shumë më tepër për barazinë gjinore në pagë, por kjo ka të bëjë gjithashtu me socializmin, atë që mendojmë se ia vlen të paguhet dhe se si kërkojmë të paguhet. Unë mendoj se vajzat duhen mësuar që në shkollë. Nëse vazhdojmë kështu si jemi, do të shohim që këto pabarazi do t’i ndjekin gjatë gjithë jetës dhe shumë gra do të përfundojnë të varfra në moshë pensioni.Të botosh të dhëna të tilla është një gjë, por ndryshimi kulturor që nevojitet për të barazuar këto shifra kërkon që të ulemi e t’i diskutojmë seriozisht. Duhet të flasim me kolegët për pagën. Duhet të pyesim se sa paguhet menaxheri. A janë të drejta procedurat e rekrutimit në vendin e punës? Mjaft ju erdhi turp të flisni për paranë. Heshtja vetëm sa shton pabarazinë. Ndalojeni tani.