15:17 / E Enjte, 01 Shtator 2022 / k.v

Bizneset miliona euro humbje si pasojë e mungesës së energjisë

Kosova po vazhdon të përballet me reduktime të energjisë elektrike. Përfaqësues të bizneseve thonë se zgjatja e reduktimeve po u shkakton telashe e humbje të mëdha në ekonomi.

Përkundër rezervave të mëdha të thëngjillit, Kosova po vazhdon të përballet me reduktime të energjisë për orë të tëra, si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm vendor e krizës energjetike globale. Nga KEDS-i nuk kanë folur për Radio Kosovën në lidhje me reduktimet dhe gjendjen me furnizimin me energji. E zgjatja e reduktimeve përveç se po ndikon negativisht në përditshmërinë e qytetareve, telashe e humbje të mëdha po u shkakton bizneseve, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Nëse ditë më parë kemi thënë se humbjet në ekonominë e Kosovës janë më shumë se një milion euro në ditë, tash kur reduktimet e energjisë kanë filluar të zgjaten, humbjet ndoshta do të jenë edhe dyfishi i saj. Si pasojë e këtij problemi ne do ta kemi shumë të vështirë të zëmë ritmin e rritjes së ekonomisë karshi konkurrencës me vendet e rajonit që nuk po i kanë këto probleme”, tha ai.

Teksa flet për krizën energjetike në vend, Liron Gjocaj, nga Instituti për Politika Zhvillimore, thotë se në këtë situatë krize, kursimi i energjisë nga qytetarët është mese i domosdoshëm. Ndërkohë, ai thotë se edhe Qeveria duhet të marrë masa shtesë për përmirësimin e situatës aktuale.

“Ne kemi rekomanduar tash e sa kohë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë siç janë: shtimi i masave të eficiencës së energjisë, largimi i TVSH-së për panelet solare, veletin, pompat termike. Gjithashtu të bëhet subvencionimi i izolimit të ndërtesave, e lehtësira të tjera fiskale. Të gjitha këto ne besojmë se do të zbusnin krizën energjetike duke e bërë këtë periudhë më pak të dëmshme si për qytetarët po ashtu edhe për bizneset që po pësojnë”, tha ai.

Kosova, në bazë të kapaciteteve prodhuese që ka edhe në rastin më të mirë të prodhimit nuk mund t’i plotësojë nevojat e konsumit të energjisë për rreth 20 për qind, thotë tutje Gjocaj për Radio Kosovën.

Ndërkohë, si pasojë e varshmërisë nga importi i energjisë dhe shtrenjtimi i saj në bursën ndërkombëtare, KEDS dhe KESCO kërkuan ditë më parë shtrenjtimin e sërishëm të energjisë elektrike në Kosovë, e cila u refuzua nga Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.