16:15 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Cakaj: Gjuha e politikanëve të Serbisë ndaj znj. Haradinaj-Stublla tërësisht e papranueshme, por jo edhe e papritur

Më 2 të këtij muaji, Tirana bashkoi dy qeveritë, atë të Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhja e shtatë kjo me radhë, e cila rezultoi me nënshkrimin e disa marrëveshje të rëndësishme.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, në një intervistë për IndeksOnline, duke folur për këtë ngjarje, thotë se pavarësisht kritikave, mbledhjet ndër – qeveritare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbesin një praktikë e pazëvendësueshme institucionale jo vetëm për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë të mundshme, por edhe për të lëvizur gradualisht drejt politikave plotësisht të bashkërenduara sektoriale.

“Në këtë kuptim, vlera e mbledhjeve ndër-qeveritare shkon shumë përtej shprehjes simbolike të marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve.

Pavarësisht kësaj, sot ekziston një kritikë mjaft e përhapur prej disa qarqeve politike/ mediatike ndaj dy qeverive me përshtypjen se marrëveshjet e mbledhjeve ndërqeveritare nuk po zbatohen në praktikë.

Kjo, së paku, nuk është plotësisht e vërtetë. Për shembull, shumica e marrëveshjeve nga mbledhja e fundit në Pejë realisht janë zbatuar në praktikë: marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patentave për drejtuesit e mjeteve, protokolli për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën kufitare Morinë-Vërmicë, protokolli mes Ministrive të Bujqësisë për njohjen dypalëshe dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare që shoqërojnë kafshët gjalla dhe produktet me prejardhje shtazore. Pjesa tjetër, veçanërisht marrëveshja për bashkëpunim në fushën e rinisë (projekti ‘si n’shtëpinë tënde’, shkolla verore ‘edukimi dhe punësimi në shekullin 21’), janë në zbatim e sipër”.

Por, sipas Cakajt kjo s’do të thotë se nuk ekziston ende shumë hapësire e pashfrytëzuar sa i përket thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit konkret mes dy vendeve.

 “Në fund, duhet theksuar se marrëveshja për ngritjen e fondit ndër-shtetërorë për Luginën e Preshevës nënshkruar në mbledhjen e fundit ndër-qeveritare, tregon qartësisht për vëmendjen e shtuar të Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët në rajon. Pas mbylljes së procedurave të nevojshme teknike, fondi ndër-shtetërorë për Luginën e Preshevës do të vihet në shërbim të mbështetjes së projekteve të ndryshme për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën”.

Veç këtij fondi për shqiptarët e Luginës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tregon se janë në komunikim të vazhdueshëm me homologën e tij nga Kosova, Meliza Haradinaj – Stublla, edhe për ngritjen e një fondi po ashtu për shqiptarët e Malit të Zi.

“Bashkëpunimi znj. Haradinaj-Stublla është i shkëlqyer. Në fakt, komunikimi ynë i vazhdueshëm është bërë pjesë e rutinës ditore. Në mbledhjen e fundit në Tiranë kemi biseduar edhe për ngritjen e një fondi ndër-shtetërorë për mbështetjen e shqiptarëve në Mal të Zi, ngjashëm me praktikën që tashmë kemi nisur për Luginën e Preshevës. Sfida ynë e përbashkët, mes shumë tjerash, mbetet pikërisht fillimi i procedurave të nevojshme për ngritjen e fondit në funksion të mbështetjes së shqiptarëve në Mal të Zi”.

Kur jemi tek Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla dhe gjuhës linçuese të politikanëve sërbë karshi punës së saj, Cakaj këtë e quan të papranueshme.

“Gjuha e disa politikanëve të Serbisë ndaj znj. Haradinaj-Stublla, ndërkaq, është tërësisht e papranueshme por jo edhe e papritur. Më shumë sesa mungesë etike të disa personaliteteve me emra të përveçëm, ajo është shprehje e një qasje politike të një shteti që jo vetëm refuzon të marrë përgjegjësinë shtetërore për krimet e kryera në Kosovë, por edhe synon t’i relativizojë apo mohojë ato”.

Por problem tjetër, Cakaj e sheh heshtjen apo reagimin sipas tij me gjysmë zëri të bashkësisë ndërkombëtare në raport me sjelljen politike e diskursin publik të krerëve më të lartë të Serbisë./Indeksonline