09:57 / E Mërkurë, 17 Prill 2024 / L K

Çfarë nënkupton anëtarsimi i Kosovës në Këshill të Evropës? Flet njohësi, Arsim Vranovci

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështetetën të martën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg. Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.

Në pyetjen e Indeksonline se çfarë nënkupton anëtarsimi i Kosovës në Këshill të Evropës dhe cilat janë përfitimet e këtij anëtarsimi, avokati i mirënjohur, Arsimi Vranovci ka dhënë disa detaje.

“Anëtarsimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të shënon një hap të madh në përforcimin e subjektivitetit në marrëdhëniet ndërkombtare dhe lehtësimin për aderime të reja në organizata tjera dhe akte juridike multilaterale sikurse që janë Konventa të ndryshme.
Si organizatë ndërkombtare regjionale, Këshilli i Evropës e ka Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe një sërë aktesh tjera specifike. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përmes edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka krijuar dhe jetësuar sistemin më të avancuar në botë për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore si dhe ka inspiruar shumë vende për reformim të thellë në drejtim të sundimit të ligjit dhe respektimit më të madh të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
Republika e Kosovës që nga koha e Kornizës Kushtetuese (pastaj më Kushtetutën aktuale) e ka pasur të përfshirë zbatimin e drejtëpërdrejtë të saj në Republikën e Kosovës në mënyrë të njëanshme krahas edhe një numri tjetër të akteve juridike ndërkombtare. Sidoqoftë, të mos qenit antarë të Këshillit të Evropës, i ka pamundësuar qytetarëve të Kosovës t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg që t’i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre nëse do të kishte shkelje të tyre nga institucionet e Kosovës.
Përfitimi më i madh për Kosovën do të jetë pikërisht qasja e qytetarëve direkt në këtë Gjykatë, normalisht nën kushte të caktuara (shterrimi i mjeteve juridike të brendshme). Pasojat e shkeljeve everntuale të të drejtave dhe lirive të përcaktuara në Konventë do të prodhojnë pasoja për shtetin shkelës, sidomos pasoja financiare për kompenzime. Megjithatë, anëtarësimi në Këshill të Evropës do të kontribuoj ndjeshëm në përmirësimin e qasjes në drejtësi brenda Kosovës por do të jetë edhe inspirim për më shumë reforma. Përkundër që Kosova si shtet demokratik, në Kushtetutën e saj dhe ligjet e veçanta garanton standard të lartë për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, qasja e qytetarit direkt në këtë Gjykatë e ngritë në maksimum nivelin e mbrojtjes së tillë, tash më edhe në rrafsh ndërkombtar. Qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë modelin e njëjtë si një qytetar gjerman, zvicran, anglez e francez.
Po ashtu, anëtarsimi do të sjellë mundësi edhe për profesionistët ligjor sikurse që jemi ne Avokatët. Prandaj, anëtarsimi i Kosovës do të jetë një hap i jashtëzakonshëm në përmirësimin e sundimit të ligjit në përgjithësi dhe rritjen e llogaridhënies në institucione në veçanti” ka thënë avokati Vranovci në sqarimin e tij./Indeksonline/