12:18 / E Enjte, 08 Gusht 2019 / indeksADMonline

Daka: KQZ-ja e gatshme për organizmin e zgjedhjeve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e mbështetur nga anëtarët, ka kërkuar nga sekretariati i KQZ-së që të mobilizohen, që në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, të jenë të gatshëm për organizimin e tyre.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u regjistruan 3 parti të reja politike, Valdete Daka tha se e sigurojnë publikun që janë të gatshëm për organizmin kurdo që vendoset të mbahen zgjedhjet, në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se sekretariati duhet të nisë mobilizimin, jo përgatitjet, për zgjedhje të mundshme në fund të shtatorit, apo në fillim të tetorit të këtij viti.

“Duhet ta sigurojmë publikun se ne jemi të gatshëm që kurdoqoftë ato të shpallen t’i organizojmë dhe, natyrisht ne si trup vendimmarrëse kërkojmë nga sekretariati t’i nisë, jo përgatitjet për zgjedhje, por që të mobilizohen që në rast se kemi zgjedhje qoftë muajin e ardhshëm, qoftë pas atij, të jenë të gatshëm që t’i përgjigjen kërkesës për organizimin e zgjedhjeve. E sigurojmë publikun se jemi të gatshëm dhe kurdoqoftë ato zgjedhje shpallen ne do t’i organizojmë”, tha ajo.

Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, tha se vendi është në prag të zgjedhjeve dhe KQZ-ja duhet të jetë e përgatitur, në mënyrë që të mos përballet me problemet e mëparshme.

“Normalisht, që jemi në prag të zgjedhjeve, ne muajm me thanë se nuk është vit zgjedhor, por zgjedhjet janë dhe mos me na gjetë si në situate në të cilat vijmë gjithmonë dhe themi jemi të papërgatitur ose na ndodhin shpejt se janë të jashtëzakonshme. Të përgatitemi, sidomos për zyrtarët komunalë kah nuk i kemi, sepse nuk janë plotësuar vendet, kemi probleme me softwerin herën e kaluar, mos të na ndodh, ajo është çështje teknike, kemi qenë të fundit që i kemi qitë rezultatet”, tha ai.

Edhe sipas Florian Dushit, është në interes të KQZ-së që të nisin përgatitjet rreth zgjedhjeve, meqë afati kohor që i jepet pastaj mund të jetë i shkurtër.

 “Mos të na ndodh sikur disa zyrtarë komunalë në komuna të ndryshme që i nxike bora në dimër në befasi, ne po i shohim zhvillimet, andaj është në interesin e KQZ-së që të fillojë disa përgatitje rreth zgjedhjeve, sepse sigurisht meqë këto afatet tjera po përfitojnë kohë, kur vjen puna për KQZ-në kanë me na lënë afatin minimal, andaj duhet të jemi gati”, tha ai.

E sipas Adnan Rrustemit, KQZ-ja duhet të reflektojë qëndrimin në përputhje me situatën që kemi.

Sipas tij, zgjedhjet mund të organizohen së shpejti dhe nuk duhet t’i gjejnë në befasi.

 “Kjo nuk na ndalon si sekretariatit të fillojmë planifikimin e buxhetit, të resurseve profesionale, njerëzore të përgatitjes së operacioneve që procesi zgjedhor me shku sa më mirë. Kjo nënkupton veç në fazën e mobilizimit për përgatitje, jo të vendimeve jo të shqyrtimeve. Andaj mendoj që edhe opinion ka interesim për këtë, edhe vet ne duhet të reflektojmë qëndrimin në përputhje e situatën që jemi. Zgjedhjet mund të jenë shpejt, në fund të shtatorit, fillim të tetorit më sa largu, e nuk duhet të jemi në befasi të paktën për këtë periudhë”, tha ai.

Kujtomë se kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka caktuar 22 gushtin për seancën në të cilën do të jetë pikë e rendit të ditës shpërndarja e kësaj legjislature të Kuvendit.

Kjo ka ardhur pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili muajin e shkuar njoftoi se po dorëhiqej nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës që i erdhi nga Gjykata Speciale.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka folur për zgjedhje të reja, veçse i ka kërkuar koalicionit të propozojnë një mandatar të ri për në krye të Ekzekutivit