12:21 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Demarkacioni s’mund të trajtohet si kauzë personale

Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt ngadalë po i mbyllen të gjitha strategjitë dalëse rreth çështjes së Demarkacionit.

Derisa liberalizimi i vizave është bllokuar në dy kriteret e fundit, luftimi i krimit të organizuar e i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës është vënë para një presioni qytetar dhe ndërkombëtar.

Institucionet ndërkombëtare vazhdimisht, e së fundmi edhe në mes të Prishtinës, ia kanë përsëritur kryeministrit Haradinaj se ratifikimi i Demarkacionit as nuk mund të hiqet si kriter, por edhe duhet të adresohet sa më parë.

Duke parë ngushtimin e rrugëdaljeve, Haradinaj së fundmi ka dhënë një deklaratë më të zbutur se zakonisht, transmeton zeri.info.

“Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Këtë deklaratë e ka përforcuar edhe më tej zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli, i cili së fundmi tha se nëse komisioni i ri nuk gjen shkelje, atëherë Qeveria do të kthehet te marrëveshja e parë.

Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të proceseve politike në vend kanë thënë se marrëveshja aktuale e Demarkacionit as nuk mund të ndryshohet pa dëshirën e Malit të Zi e as të hiqet si kriter për liberalizim.

Madje, ata thonë se burrështetasit seriozë duhet t’u dorëzohen fakteve dhe argumenteve.

Hoti: Demarkacioni nuk mund të hiqet si kusht për liberalizim

Kosova nuk do të mundë të ndryshojë Marrëveshjen e Demarkacionit nëse nuk ekziston vullneti edhe i Malit të Zi, pasi ajo tashmë është ratifikuar nga parlamenti i atij shteti. Kështu ka thënë profesori i të drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti. Megjithatë, sipas Hotit, për t’u bërë e plotfuqishme, marrëveshja duhet të ratifikohet edhe nga pala kosovare në këtë rast.

“E para, Marrëveshja për Demarkacionin është marrëveshje dypalëshe, e nënshkruar nga të dyja palët dhe e ratifikuar nga njëra palë. Ajo parimisht duhet të ratifikohet edhe nga pala tjetër për t’u bërë e plotfuqishme ose eventualisht të modifikohet nëse ekziston vullneti edhe i palës tjetër”, ka thënë Hoti. Rreth deklaratave të kryeministrit se liberalizimi i vizave do të vijë duke zbatuar MSA-në, Hoti ka thënë se kushti i Demarkacionit nuk do të mundë të hiqet si kriter për liberalizim pasi kushtet e BE-së duhet të plotësohen. “Ky kusht nuk mund të kërkohet të hiqet nga kushtet për liberalizim dhe për integrim të vendit në BE për faktin se integrimi i shteteve në BE nuk është i obligueshëm. Me fjalë të tjera, ato vende të cilat dëshirojnë integrim duhet patjetër të plotësojnë kushtet e përcaktuara nga BE-ja dhe këto kushte nuk mund të jenë subjekt i negocimit. Pra, ato duhet të plotësohen në tërësinë e tyre”, ka përfunduar profesori Afrim Hoti.

Paçarizi: Burrështetasit seriozë u nënshtrohen argumenteve

Se kryeministri Haradinaj është i vetëdijshëm që Kosova duhet të pranojë të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin është i bindur edhe profesori universitar Rrahman Paçarizi. Megjithatë, ai ka thënë se deklarimi i fundit i kryeministrit Haradinaj lidhur me Demarkacionin është në linjë me qëndrimet e tij tashmë të njohura në njërën anë dhe me qëndrimin e fundit zyrtar të SHBA-së, përcjellë në takimin e zëvendëspresidentit Pence me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, transmeton zeri.info.

“Mund të duket kontradiktore, por qëndrimi i fundit i kryeministrit Haradinaj është në linjë me qëndrimet e tij dhe veprimet e tij të deritashme, pasi ai e ka formuar një Komision tjetër për demarkacionin, detyra e të cilit është që të shohë gjendjen reale lidhur me demarkacionin përmes një metodologjie të kombinuar dhe i mbështetur në legjislacionin mbi bazën e të cilit është kryer ky proces”, ka thënë Paçarizi. Më tutje, profesori ka thënë se kryeministri Haradinaj është i vetëdijshëm që Kosova duhet ta pranojë dhe ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin dhe se një burrështetas serioz duhet t’u nënshtrohet argumentev.

“Përpjekjet e tij janë në drejtim të vërtetimit të procesit si të tillë dhe një burrështetas serioz dhe i përgjegjshëm nuk ngul këmbë në qëndrimet e veta, por u nënshtrohet argumenteve”, ka thënë ai.

Në fund profesori Paçarizi ka thënë se nëse ka argumente të mjaftueshme, nuk beson që kryeministri Ramush Haradinaj nuk do t’u nënshtrohet atyre. “Kryeministri Haradinaj nuk mund dhe nuk do ta trajtojë demarkacionin si kauzë personale, por si interes nacional të Kosovës e në linjë me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të tjera mike, duke përfshirë edhe ruajtjen e raporteve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me Malin e Zi”, ka përfunduar ai.