17:31 / E Martë, 24 Tetor 2023 / MSH

Dinamo rikthen Dritan Mehmetin

Humbja me përmbyjes ndaj Teutës, mbrëmjen e së dielës i kushtoi jo pak, teknikut të Dinamo City, Luigi Di Biagio me këtë të fundit, që e mbylli, menjëherë pas ndeshjes, “aventurën” te “blutë” e kryeqytetit.

Këtë të martë vetë klubi ka prezantuar teknikun e ri, me 43-vjeçarin, Dritan Mehmeti, që është zyrtarisht trajner i Dinamo City, me këtë të fundit që kthehet për herë të 4-t në stolin e 18 herë kampionëve të Shqipërisë.

Së bashku me Mehmetin pjesë e stafit do të jenë dhe Fatjon Tafaj, në rolin e zëvendëstrajnerit, Ilir Bozhiqi trajner i portierëve, ndërsa përgatitës atletik do të jetë italiani Corrado Saçone, i cili ka qenë pjesë e Partizanit.

Ndërkaq, kujtojmë seMehmeti ishte pjesë e Dinamo City deri para nisjes së sezonit dhe e njeh mirë skuadrën, pasi kishte kryer dhe fazën përgatitore. Nëndetësja në 9 javët e para mori vetëm 7 pikë, duke u renditur në vendin e fundit të klasifikimit. Mehmeti ka drejtuar në të shkuarën “blutë” në tetor 2012-janar 2013 si dhe korrik 2013-mars 2015.