13:45 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / A. M.

Duda Balje kërkesë konkrete Qeverisë: Hapeni Zyrën e Kosovës në Bosnjë, e lejon ligji!

Deputetja boshnjake, Duda Balje, ka kërkuar nga institucionet e Republikës që të hapin një Zyrë Ndërlidhës të Kosovës, në Sarajevë.

Indeksonline ka siguruar letrën e Baljes, e cila është dërguar në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në këtë letër theksohet se hapja e një misioni të posaçëm, të tipit Zyrë Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Sarajevë, do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve, e njëkohësisht do të mund të shërbente edhe në përafrimin politik midis dy shteteve sovrane dhe do ta rriste bashkëpunimin ndërshtetëror e rajonal.

“Jemi të vetëdijshëm se mosnjohja e shtetësisë së Republikës së Kosovë nga ana e autoriteteve të Bosnjë e Hercegovinës ështe problem politik dhe i formës së funksionimit dhe vendimarrjes institucionale atje, mirëpo kjo nuk duhet të jetë barierë e pakalueshme tash e 20 vjet. Ne kemi shembullin më të mirë të bashkëpunimit me shtetin e Greqisë, që edhe pse nuk nuk e njeh zyrtarisht shtetësinë e Kosovës, kanë hapur një Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë, që ka ndihmuar në përmirësimin e raporteve midis dy vendeve, si dhe ka zgjidhur problemin e dokumenteve të identifikimit dhe lëvizjes së lirë së qytetarve të të dy vendeve”, thuhet ndër të tjera.

Letra e plotë:

________________________________________

Për: Meliza Haradinaj-Stublla, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Nga: Duda Balje, Deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Kryetare e SDU

Tema: Kërkesë për hapjen e një Misioni të posaçëm, Zyre Ndërlidhëse në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë

Data: 22.10.2020

E nderuara Ministre Haradinaj-Stublla,

Komuniteti boshnjakë në Republikën e Kosovës historikisht ka qenë dhe është përkrah popullit shqiptarë. Kemi përjetuar së bashku dhunën, vuajtjet dhe diskriminim selektiv e sistematik përgjatë viteve të 90-ta. Ndajmë vlerat dhe qëllimin e njëjtë për një shtet ligjor dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.

Duke u frymëzuar nga vullneti ynë i sinqertë për të ndërtuar një mjedis paqeje dhe prosperiteti për të gjithë popujt e rajonit, me theks të veçantë respektimin e të drejtatve të njeriut dhe lirive themelore, në këtë kontekst, komuniteti boshnjakë në Kosovë tash e një kohë konsideron se ka vështirësi të theksuar për të komunikuar dhe lëvizur lirshëm drejt shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne kemi një diasporë të madhe që jeton dhe vepron në shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme dhe nuk kanë qasje të barabartë për t’iu drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovë për t’i zgjidhur nevojat dhe kërkesat e tyre.

Ne vlerësojmë se hapja e një Misioni të posaçëm, sipas nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-122 Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, të tipit Zyre Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Sarajevë, do të ndihmonte në zgjidhjen e këtyre problemeve, e njëkohësisht do të mund të shërbente edhe në përafrimit politik midis dy shteteve sovrane dhe do ta rriste bashkëpunimin ndërshtetëror e rajonal.

Jemi të vetëdijshëm se mosnjohja e shtetësisë së Republikës së Kosovë nga ana e autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës ështe problem politik dhe i formës së funksionimit dhe vendimarrjes institucionale atje, mirëpo kjo nuk duhet të jetë barierë e pakalueshme tash e 20 vjet. Ne kemi shembullin më të mirë të bashkëpunimit me shtetin e Greqisë, që edhe pse nuk nuk e njeh zyrtarisht shtetësinë e Kosovës, kanë hapur një Zyre Ndërlidhëse në Prishtinë, që ka ndihmuar në përmirësimin e raporteve midis dy vendeve, si dhe ka zgjidhur problemin e dokumenteve të identifikimit dhe lëvizjes së lirë së qytetarvë të të dy vendeve. Për më tepër, Republika e Kosovës ka hapur Zyrën Ndërlidhëse në Beograd dhe Sarajeva është i vetmi vend në rajon me të cilën nuk kemi asnjë lloj bashkëpunimi e përfaqësimi institucional.

Konsiderojmë se hapja e këtij misioni të posaçëm është e një rëndësie të veçantë dhe do të dëshmonte para bashkësisë ndërkombëtare se Republika e Kosovës, edhe njëherë, është e gatshme për bashkëpunime të reja që aspirojnë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Si perfaqësuese politike e komunitetit boshnjakë, jam e gatshme t’ju ofroj të gjitha resurset dhe kontaktet e nevojshme për të komunikuar me autoritet kompetente në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bosnje dhe Hercegovinë në mënyrë që kjo iniciativë të fillojë dhe të konkretizohet suksesshëm. Jam në dispozicionin tuaj edhe për bashkëpunime tjera në të ardhmen.

Me respekt,

Duda Balje

Deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës,

Kryetare e Unionit Social-Demokrat