11:31 / E Mërkurë, 15 Janar 2020 / indeksADMonline

Duda, shpalos takimin privat me Albin Kurtin

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga pakicat, Duda Balje, ka thënë se ka pasur një takim zyrtar dhe një privat në Prizren me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. Ajo ka thënë se nuk kanë pasur përkrahje nga ai dhe se gabon nëse ua jep një ministri komunitetit serb.

E ftuar në Sytë 7, Balje ka thënë se Kurti nuk ka punuar mirë me deputetët që janë jashtë nga grupi multietnik.

“Me Kurtin kam pasur një takim zyrtar dhe privat në Prizren. Në këtë qytet jemi takuar me 10 deputetë, por Kurti ka vendosur të bënte një politikë pak më ndryshe me ne. Ai ka provuar të bisedonte veç e veç me ne. Tash ne kemi një grup multietnik dhe tre deputetë jemi jashtë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e partisë më të re në Kosovë, Unioni Socialdemokratik, ka thënë se nuk kanë pasur përkrahje nga pretendenti për kryeministër të ardhshëm dhe se ai gabon nëse ua jep një ministri komunitetit serb.

“Nuk kemi pasur përkrahje nga kryeministri i ardhshëm që ne të shkojmë ashtu bashkë dhe mendoj se s’ka punuar mirë me ne dhe ka gabuar me ne. Nëse bëhen 14 ministri shpresoj që njëra nuk do t’i jepet komunitetit serb, por ne 10 deputetëve”, shtoi ajo tutje.

Ndryshe, ajo ka thënë se me partinë e saj do të veprojnë kryesisht për interesat e boshnjakëve dhe që Kosovës t’i vijë sa më shpejt një njohje nga Bosnjë e Hercegovina.