16:16 / E Enjte, 07 Dhjetor 2017 / k.v

“Edipi Mbret” shfaqet në Kampusin Artistik

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u dha të mërkurën premiera “Edipi Mbret” e autorit të njohur grek, Sofokliut. Regjia e kësaj shfaqjeje është bërë nga Gëzim Hasani. Në një ambjent të veçantë, aktorët dhuruan emocione të shumta për publikun.  Tema e shfaqjes është fati i paracaktuar i njeriut. Edipi mishëron natyrën njerëzore dhe fatin e saj. Edipi i ka sytë në ballë por është i verbër për identitetin e vet dhe ia nxjerr sytë vetes kur e zbulon atë, pasi padija e kishte zhytur në krim. I tillë mund të jetë njeriu apo shoqëria nëse është e verbër dhe nuk njeh veten. Edipi është simboli i mbretit, që perënditë shkatërrojnë, që perënditë nuk miratojnë, një mbret, apo një udhëheqës të verbër që nuk di kush është. Nuk mjafton as që të jesh i mirë dhe të duash vetëm të mirën, sikurse ishte Edipi.  Kur njeriu është i verbër ai sjell vetëm fatkeqësi. Sofokliu e çon në ekstrem fatkeqësinë e individëve si Edipi, njerëz të verbër për fatet e tyre. Ai verbon veten, është i padëshiruar për qytetin dhe largohet nga ai. Endet i verbër.  Fatkeqësia i ndjek brez pas brezi. Me një skenografi dhe kostumografi të thjeshtë, por tërheqëse, në hollin e Bibliotekës, nën tingujt e muzikës, loja e aktorëve dhe koncepti regjisorial u pëlqye nga publiku. Në rolin e Edipit interpretoi Valmir Krasniqi, Jokastën e luajti Arta Lahu, Lajmëtarin Armend Abazi ndërsa Fantazmën e Jokastës e luajti Qëndresa Jashari. Regjisori Gëzim Hasani tha se ka punuar shumë për shfaqjen dhe ekipi i aktorëve performuan në nivel të lartë artistik. “Kemi nevojë për projekte të tilla, që të kultivojmë vlera të mirëfillta artistike”, u shpreh ai.

Ky projekt, me producent Blerim Haxhiaj, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

“Edipi Mbret”, u shfaq në kuadër të Kampusit Artistik, që për dy netë radhazi mbahet në ambjentet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në natën e parë, u dha shfaqja, ndërsa në të dytën, jepen performanca të ndryshme nga artet pamore, muzikore, letrare etj.

Ky projekt artistik përfshin tri fusha:  Arte pamore, Arte muzikore, Arte skenike. Tema është e hapur për pjesëmarrësit, të cilëve u mundësohet të tregojnë kapacitetet e tyre artistike duke realizuar ide të ndryshme për aktualitetin si dhe duke eksperimentuar forma të reja të shprehjes artistike, duke u dhënë mundësi artistëve të rinj, talenteve të reja, të shprehin aftësitë e tyre dhe të argëtojnë publikun në ambjente të hapura.

Projekti është mbajtur edhe viteve të shkuara, i titulluar SUMMER CULT, që është një lloj kampusi, që u dedikohet artistëve të rinj. Qëlllimi kryesor është që artistët e rinj,të demonstrojnë në ambjent të hapur aftësitë dhe kapacitetet performuese që kanë.

Piktorë, skulptorë,aktorë,këngëtarë, valltarë,instrumentistë,regjizorë,të rinj, u bashkuan  në këtë kampus, për të shprehur përmes performancave të shkurtra, idetë e tyre artistike.  Kjo është hera e tretë që mbahet ky aktivitet, me mbështetjen e MKRS-së./Indeksonline/