14:48 / E Martë, 17 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ekskluzive: Si u punësuan jashtëligjshëm ekzaminerët e arrestuar, në Ministrinë e Infrastrukturës?

Policia e Kosovës, më 5 korrik të këtij viti,  kishte zhvilluar një operacion spektakolar në arrestimin e mbi 20 personave, nën dyshimin se kishin kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Në këtë operacion janë arrestuar 16 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe 7 punonjës të auto-shkollave private.

Sipas policisë të dyshuarit u kishin mundësuar personave të interesuar, që të pajiseshin me patentëshoferë të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentëshoferit (400 – 1000 €).

Ndër të arrestuarit janë 13 ekzaminerë, të cilët kishin punuar në Ministrinë e Infrastrukturës, përkatësisht në Departamentin për patentëshoferë.

Sipas burimeve të Indeksonline, të gjithë këta persona ishin angazhuar si ekzaminerë me vendim  të ministrit Pal Lekaj në krye të Ministrisë së Infrastrukturës.

Madje ata kishin punuar pa kontrata pune në Ministrinë e Transportit dhe rrjedhimisht nuk kishin qenë as në listën e pagave.

Burime të besueshme të Indeksonlinet tregojnë se gjatë marrjes në pyetje të ekzaminerëve nga hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Prishtinë, të dyshuarit kishin pranuar se kishin punuar një kohë të gjatë pa kontrata pune.

Ndërsa kur janë pyetur se si ka mundësi të punonin pa marrë paga në ministri? Ata kishin thënë se zyrtarë të Ministrisë së Transportit u kishin thënë që të gjendeshin disi me punën si ekzaminerë, derisa t’u bëhej një zgjidhje për kontrata pune…! Pra, i bie që të gjithë këta persona kishin punuar jashtëligjshëm për një kohë të gjatë në Ministrinë e Transportit, duke e keqpërdorur pozitën e tyre si ekzaminerë ku përmes korrupsionit besohet të kenë fituar shuma të mëdha parash në dhënien e patentëshoferëve.

Nesër në Indeksonline, do të mund të lexoni vazhdimin e këtij hulumtimi:

Kur u angazhuan këta ekzaminerë në Ministrinë e Infrastrukturës?

Sa kohë funksionuan ata pa kontrata të rregullta pune?

Kush nuk pranoi dhe kush pranoi t’ua nënshkruante kontratat pavarësisht shkeljeve ligjore?

Si u paguan ata edhe për kohën gjatë të cilës kishin punuar jashtëligjshëm në ministri?/Indeksonline/