19:00 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

“Frika e Kurtit: Nëse hiqet taksa, mund të vihet në dialog çështja e korrigjimit të kufijve”

Mos heqja e taksës dhe “kokëfortësia” e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që ajo të hiqet pjesërisht, rrezikon seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me Shtet e Bashkuara të Amerikës, e cila çdo ditë e më shumë po bën trysni që taksa ndaj produkteve serbe të hiqet sa më parë, shkruan IndeksOnline.

Se situata është serioze dëshmojnë edhe vizitat e herë pas hershme të zyrtarëve amerikan e evropian në Kosovë. Një e tillë ndodhi edhe sot, ku Kosova u vizitua nga dy këshilltar, njëri i kancelares gjermane Angela Merkel, dhe tjetri i presidenti francez Emmanuel Macron.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, për IndeksOnline ka thënë se problemi rreth heqjes së taksës ka të bëj me marrjen e primatit të dialogut.

Sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan presidentin Hashim Thaçi në krye të procesit të dialogut, derisa në anën tjetër kemi kryeministrin Albin Kurti i cili siç tha Mushkolaj po synon “të imponohet”, duke kërkuar që ai t’i prijë këtij procesi.

“Problemi me taksën është problem i marrjes së primatit në dialog. Do të thotë jo rastësisht z.Kurti e ka propozuara këtë heqjen e përshkallëzuar të taksës, ndërkohë ka vazhduar që tu dërgoj letra qendrave të vendosjes edhe në Uashington edhe në Bruksel, duke iu thënë se ai është personi i cili duhet të merret me dialogu, pra tash për tash e kemi situatën ku SHAB e duan zotëri Thaçin si kryenegociator, ndërsa zotëri Kurti po provon ‘të imponohet’, bazuar në vendin e Gjykatës Kushtetuese, se ai është personi i cili duhet të merret me dialogun”, tha Mushkolaj.

Ai tutje theksoi se zvarritja e heqjes së taksës do të zgjas deri atëherë kur Kurti të marrë një sinjal se edhe ai do të bëhet pjesë e formatit të ri të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo zvarritje në heqjen e taksës do të zgjasë besoj unë derisa Kurti të marr sinjal se edhe ai do të jetë pjesë e dialogut në kuptimin se mund të ndërrohet formati dhe mund të kemi një dialog ose të kemi format të negociatave ku do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e kryeministrave të shteteve përkatëse, edhe pse një gjë e tillë tash duket e pamundur për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në fund të prillit në Serbi”, theksoi Mushkolaj për IndeksOnline.

Në anën tjetër, pas të gjitha zhvillimeve të fundit, sipas Mushkolës, situata është serioze dhe në të njëjtë mënyrë duhet trajtuar edhe nga Kurti.

Sipas tij, ajo që frikëson më shumë në këtë rast Kurtin, është se në momentin e heqjes së taksës dhe me vazhdimin e dialogut, mund të shtrohet në tavolinën e bisedimeve edhe çështja e korrigjimit të kufijve, ide kjo e promovuar më parë nga presidenti Thaçi dhe e kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri Kurti dhe një pjesë e opozitës.

“Unë nuk kam parë përpjekje të Kurtit që të marrë iniciativa për me sqaruar se si do të rrjedh situata më tutje, sepse frika është se nëse hiqet taksa vazhdon dialogu dhe mund të shtrohet në tavolinë e bisedimeve çështja e korrigjimit të kufijve. Pra nevojitet njëfarë iniciative më e madhe e Kurtit që me marrë vesh se çka ka me ndodh pas heqjes së taksës, për shkak se pasojat mund të jenë të mëdha”, tha Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj tha se paralajmërimet e SHBA-ve pavarësisht se nga kush vijnë nuk kanë emra të përveçëm, por se bëhen në emër të administratës së shtetit amerikan.

Ai ka komentuar edhe “kërcënimet”, e LDK-së të bëra një ditë më parë nga nënkryetari i LDK-së Agim Veliu i cili gjatë një aktiviteti zgjedhor tha se nuk do të lejojnë (VV-në) të prish raportet me SHBA-në.

“Sa i përket kërcënimit nga LDK-ja, ajo thjeshtë nuk ka qëndrim të vetin, po të donin të dilnin nga qeveria nuk do të duhej fare ta prisnin kërcënimin e SHBA-ve por të merrnin vendim dhe të dalin, përndryshe nuk e konsideroj shumë të moralshme që thjeshtë të jenë aty, ta kërcënojnë në njëfarë forme partnerin qeveritar, me prishje të koalicionit, e në anën tjetër të shohin se çka po ndodh. Edhe LDK ka përgjegjësinë çfarë e ka edhe Vetëvendosje dhe me këtë logjik duhet të jenë ata që në njëfarë forme, të kontribuojnë që vendimi të merret sa më shpejtë dhe të mos ketë kurrfarë ftohje të marrëdhënieve me SHBA-në”, nënvizoj Mushkolaj./IndeksOnline/