16:30 / E Hënë, 18 Janar 2021 / Blerim

FSK largon trupin e pajetë të Heset Rrahmanit, qytetarit që u gjet sot i vdekur

Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë larguar trupin e pajetë të Heset Rrahmanit i cili u gjet i vdekur në afërsi të Hanit të Elezit.

I njëjti u gjet pa shenja jete ditën e sotme, derisa ishte zhdukur që nga 14 janari i këtij viti.

Lajmin për IndeksOnlinen gjatë ditës e ka konfirmuar edhe majori Mehmetali Hajdini, shef i operativës rajonale.

“Po jam në vendin e ngjarjes dhe mund t’ju them se para gjysmë ore kemi identifikuar një veturë që ishte rrokullisur në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit, në një lartësi prej 100 metrave, ndërsa  brenda automjetit është gjetur një kufomë”, tha  Hajdini.

Kujtojmë se Rrahmani sipas familjarëve kishte edhe nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut dhe se më 14 janar rreth orës 14:00, kishte shkuar për vizitë te një kushëri në Shkup nga pika kufitare në Hanin e Elezit./Indeksonline