11:39 / E Martë, 30 Nëntor 2021 / LB

Gërvalla për vizat: Mund të ketë ndryshim të qasjes pas zgjedhjeve në Francë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për çështjen e liberalizimit të vizave ka thënë se në aspektin formal nuk është se ka ndonjë rezultat.

Por, ajo tha se skepticizmi nga Franca mund të zgjidhet pas zgjedhjeve në Francë meqënëse kjo çështje mund të jetë më shumë e lidhur me punët e brendshme të këtij shteti sesa me Kosovën.

“Ka pasë shkëmbime shumë intensive sidomos me Francën dhe jo vetëm në aspektin e politikës së jashtme, por edhe MPB ka qenë shumë e angazhuar në lidhje me dilemat eventuale që do të mund të kishin të bënin me statusin shtetit ligjor në Kosovë, luftimin e krimit dhe korrupsionit do të mund të sqaroheshin. Nga ministri Sveçla kam dëgjuar që takimet me delegacionet franceze kanë qenë shumë të frytshme dhe të mira. Atë çfarë ne mund të bëjmë në raport me Francën, e bëjmë e kemi bërë dhe do ta bëjmë çdo ditë. Nuk dua ta përjashtoj apriori mundësinë që shumë shpejt mund të kemi një ndryshim të kësaj qasje të skepticizmit të liberalizimit të vizave, por edhe nuk do të më habiste fakti që një temë e tillë do të shtrohej më intensivisht pas zgjedhjeve në Francë sepse kam një përshtypje që refuzimi i Francës është i lidhur me çështje të tjera të brendshme”.

Gërvalla tha se ka edhe një shtet që është skeptik dhe me të cilin kanë punuar intensivisht.