23:45 / E Martë, 26 Tetor 2021 / AR

Haradinaj-Stublla: Kosova të mos përgjumet, rrezikon të mbetet duarthatë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla përmes një shkrimi të gjatë ka bërë thirrje që Kosova të mos përgjumet.

Ajo u shpreh se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër të kërkesës për mosnjohje ndaj Kosovës, në formën e falënderimit të shteteve, raporton Indeksonline.

Rast konkret ka përmendur se, dje MPJ i Serbisë, Selakoviq falënderoi Greqinë përmes Ambasadorit të tyre për qëndrimin mosnjohës ndaj Kosovës.

Sipas saj, duhet të jemi të vetëdijshëm pasi se Kosova rrezikon të mbetet duarthatë sepse nuk mund të aplikojë parimin e reciprocitetit, dhe si në të kaluarën – do të obligohet të aplikojë masa asimetrike të reciprocitetit siç ishte taksa 100%.

Postimi i plotë:

KOSOVA TË MOS PËRGJUMET!

Serbia përveç që ndaloi ekipin e boksierëve të Kosovës të marrin pjesë në garë ndërkombëtare, po vazhdon edhe me avazin e vjetër të kërkesës për mosnjohje ndaj Kosovës, në formën e falënderimit të shteteve. Dje MPJ i Serbisë Selakoviq falënderoi Greqinë përmes Ambasadorit të tyre për qëndrimin mosnjohës ndaj Kosovës, duke shpërfillur kështu këshillën amerikane që pavarësisht skadimit, pika e 15-të** e marrëveshjes së Washingtonit për moratorium ndaj kërkesës formale apo joformale për të mos njohur Kosovën të vazhdojë të implementohet. Ndërsa Kosova po vazhdon implementimin e moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare, Serbia po bën të kundërtën.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se tek pika e “ç’njohjeve” – Kosova rrezikon të mbetet duarthatë sepse nuk mund të aplikojë parimin e reciprocitetit, dhe si në të kaluarën – do të obligohet të aplikojë masa asimetrike të reciprocitetit siç ishte taksa 100%.

Duke qenë se jemi në këtë gjendje, përballë një fqinji gjithnjë e më armiqësor, gjithnjë e më të pabesueshëm, Kosova duhet të rikthejë platformën e ngushtë konsultative me SHBA-të për të vlerësuar situatën rreth pikës 15, dhe të fillojë menjëherë procedurat dhe punën për aplikim në organizata ndërkombëtare. Paralelisht kësaj, lobimi dhe thellimi i mëtejmë i raporteve me shtetet mosnjohëse duhet të vazhdojë me intenzitet akoma më të shtuar në shumë fronte.

Greqia ishte shumë afër Kosovës pas 4 shtatorit, sidomos për shkak të horizontit të ri të hapur pas njohjes së Izraelit, si dhe propozimit amerikan për lidhjen e Kosovës në gazsjellësin përmes saj (prandaj ndodhën edhe vizitat më të shpeshta ndonjëherë si dhe dërgimi i një konsulli ekonomik grek në Prishtinë). Vonesa me këtë projekt (mes tjerash) do të rifuqizojë edhe më shumë lidhjen e Serbisë me Greqinë, dhe do të zmadhojë distancën e rrugës që shpien tek njohja e Kosovës nga Greqia.

Nuk duhet të harrojmë që projektet gjeostrategjike në favor të interesave afatgjate të Kosovës NUK maten me çmim monetar.

(P.S. Ministri serb Selakoviq javën tjetër viziton Greqinë, ndërsa sot deklaroi që mbi 10 vende janë gati t’a ‘tërheqin njohjen ndaj Kosovës’!)

** Pika 15 e Marrëveshjes e Zotimeve të Washingtonit për Kosovën nënkuptonte moratorium në aplikim për organizata ndërkombëtare për Kosovën, kurse në anën tjetër për Serbinë – moratorium për t’u kërkuar formalisht apo joformalisht shteteve që të mos e njohin Kosovën!