22:38 / E Shtunë, 01 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Haradinaj: Tejzgjatja për ndarjen e posteve është shpërfaqja e mashtrimit të madh të Kurtit si kryeministër

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas raportimeve se është arritur marrëveshje mes dy partive, Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për bashkëqeverisje.

Haradinaj ka thënë se ky është një veprim i duhur nga dy palët pasiqë respekton rezultatin zgjedhor.

Ai tha se është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë.

Haradinaj në fund ka thumbur Kurtin duke thënë se “agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër”.

“Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër”, shtoi ai./IndeksOnline/