16:04 / E Mërkurë, 09 Janar 2019 / indeksADMonline

Haradinaj viziton Doganën, premton mbështetje dhe luftim të evazionit fiskal

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Doganën e Kosovës, bashkë me ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Qeveria do ta mbështes Doganën e Kosovës, që t’u përgjigjet sfidave të reja, mbrojtjes së ekonomisë si komponentë e rëndësishme e sigurisë nacionale, përfshirë luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit.

Më poshtë postimi i Haradinajt:

Një nga institucionet më kredibile të akumulimit të të hyrave shtetërore, me rreth 65% të buxhetit në total, dhe mekanizëm që ndërlidhë tërë tregtinë e vendit, Dogana e Kosovës, më përgjegjësi të shtuar po e kryen misionin e vet kushtetues dhe ligjor.

Sot, në takim pune, së bashku me ministrin Bedri Hamza, drejtorin Bahri Berisha dhe zyrtarët tjerë doganorë biseduam për dinamizimin dhe modernizimin e vazhdueshëm të Doganës.

Qeveria e vendit do ta mbështes Doganën e Kosovës, që t’u përgjigjet sfidave të reja, mbrojtjes së ekonomisë si komponentë e rëndësishme e sigurisë nacionale, përfshirë luftimin e evazionit fiskal dhe informalitetit. /Indeksonline/