00:06 / E Premte, 20 Nëntor 2020 / OSH

Hashim Rexhepi kompensohet pasi u shpall i pafajshëm: Mu dëmtua reputacioni, kisha dhimbje shpirtërore

Ish- Guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi është kompensuar me shumën prej 204 mijë euro, pasi që është shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat e bëra ndaj tij në vitin 2011.

“Para disa ditësh Gjykata Themelore vendosi për kompensimin e dëmeve material në vitin 2011, pas 9 viteve Gjykata ka vendosur për padinë time, presim më tutje si do të shkojnë gjërat, kam pas një dhimbje shpirtërore, dëmtim reputacioni e kështu me radhë”, ka thënë Rexhepi në Klan Kosova, transmeton IndeksOnline.

“Në bazë të asaj që kemi biseduar me avokatët janë këkruar 1 milion e 600 mijë euro, nga dëmtimi i reputacionin dhe imazhit, dhimbje shpirtërore, dëmet material dhe të familjes, arrestimi im në 2010, të gjitha këto kanë ndikuar shumë”, shtoi tutje ai.

Një shumë të tillë, ai e kishte kërkuar për shkak të pretendimeve se nga 23 korriku e deri më 23 nëntor 2010 ishte mbajtur në paraburgim, ku pas kësaj atij i ishin shqiptuar edhe masat tjera si dorëzania dhe paraqitja në Stacionin e Policisë deri më 16 shkurt të vitit 2011, ku sipas padisë edhe ishte liruar nga aktakuza me aktvendim nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Ish- guvernatori i BQK-së ka thënë se i janë shkaktuar dëme të mëdha, kjo pasi që arrestimi i tij bëri bujë të madhe.

“Arrestimi im ka ndodhur në vitin 2010, ka qenë njëri ndër arrestimet më spektakolare që kanë ndodh. Ju kam thënë që s’keni nevojë të më arrestoni sepse unë mund të vijë vet, por ata e kishin përgatitur terrenin dhe ka pas një mbulesë shumë të madhe mediale. Kjo ka ndiku shumë në imazhin dhe reputacionin tim, dhe asnjëherë s’kam mujt t’i kthehem asaj që kam qenë dikur”, theksoi Rexhepi, transmeton IndeksOnline.

“Ka qenë një grumbull i akuzave, kanë qenë aq të habitshme që mund të veprohet apo mund të improvizohet, ka qenë një varg i akuzave të pavërteta. 4 muaj kam qenë në paraburgim në Prishtinë”, tha ai.

Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, ishte arrestuar me 23 korrik të vitit 2010 nga Policia në prani të mediave. Arrestimi dhe bastisjet ndaj ish-Guvernatorit ndërlidheshin me një hetim financiar për korrupsion ku dyshohej për keqpërdorim të detyrës apo pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe shpërlarje të parave. Pas katër muajve sa ishte mbajtur në paraburgim, Rexhepi ishte liruar si i pafajshëm nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë./IndeksOnline/