14:35 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / indeksADMonline

Hoti takon Ipeshkvin Dodë Gjergji, e falënderon për mirëkuptimin e treguar për menaxhimin e pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i shoqëruar nga  ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Teuta Sahatqija, e emëruar si pikë kontakti e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Selinë e Shenjtë në Vatikan, ka vizituar Ipeshkvinë e Kosovës, ku u pritën nga Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Hoti ka thënë se harmonia dhe bashkëpunimi i ngushtë i bashkësive fetare ka krijuar përherë një frymë të veçantë dashurie, mirëkuptimi e tolerance ndërmjet etnive dhe besimeve të ndryshme në Kosovë.

Tutje ai ka falënderuar imzot Gjergjin për mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe kur vendi ende përballet me pandeminë Covid-19.

 “E falënderova Imzot Gjergjin për mirëkuptimin e Ipeshkvisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë komunitetit katolik të vendit ndaj masave të Qeverisë dhe të institucioneve shëndetësore të vendit për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë Covid – 19”, ka shkruar Hoti në Facebook.