14:35 / E Premte, 26 Prill 2024 / S Z

Hyn në fuqi Udhëzimi administrativ për vendosjen e fotografive dhe mesazheve për efektet negative të duhanit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar Udhëzimin administrativ nr. 02/2024 për plotësim ndryshimin e Udhëzimit administrativ nr.05/2023, vërejtjet e kombinuara. Ky Udhëzim administrativ derivon nga Ligji për kontrollin e duhanit.

Qëllimi i këtij Udhëzimi administrativ është përcaktimi i rregullave për vendosjen e fotografive apo ilustrimeve të tjera dhe tekstit – mesazhit informues për efektet negative të duhanit, në paketimet e produkteve të duhanit dhe të ndërlidhura me duhanin.

 “Përmes vendosjes së vërejtjeve shëndetësore në produktet e duhanit synohet të ngrihen njohuritë e duhanpirësve për efektet shëndetësore negative, që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit dhe, gjithashtu, synohet të inkurajohet ndërprerja e pirjes së duhanit si dhe dekurajimi i nisjes ose ri-nisjes së pirjes së duhanit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shendetësisë.

 Aplikimi i vërejtjeve të kombinuara apo paralajmërimeve për rreziqet nga duhani është masë, që bazuar në dëshmitë shkencore, në vende të ndryshme ku është aplikuar, ka ndikuar në uljen e përdorimit të duhanit, sidomos nga të rinjtë.

 Ky udhëzim administrativ ka hyrë në fuqi më 25 prill 2024.