14:28 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Ish-menaxherët e IPKO-s i prinë shkatërrimit të VALA-s

Posta dhe Telekomi i Kosovës gjenden në prag të falimentimit për shkak të borxheve dhe mbipunësimeve që janë bërë vazhdimisht nga kjo ndërmarrje publike.

Dikur ndërmarrja më profitabile në vend ku e mbushte buxhetin e shtetit me dhjetra miliona euro fitime vjetore, tash nuk po mund të sigurojë as paga për punëtorët e saj.

Por, si dhe kur filloj rrënimi i kësaj ndërmarrje fitimprurëse?

Në vitin 2009 PTK dhe operatori virtual Z-Mobile kishin nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës PTK-ja i kishte krijuar hapsirë Z Mobile për të operuar me 200 mijë numra ku do ta furnizonte edhe me internet 3G dhe 4G e ku 27 % e fitimit do ti jepej PTK-së .

Deri në vitin 2012 kjo ndërmarrje po funksiononte në mënyrë të rregullt dhe me profit të lartë ku pjesa dërmuese derdhej në buxhetin e shtetit.

Por, gjithçka ndryshoi nga viti 2012 pas ardhjes së Ejup Qerimit në krye të PTK-së kjo marrëveshje kishte filluar të mos zbatohej duke i pamundësuar funksionimin e operatorit Z-Mobile sidomos me furnizimin me internet 4G dhe SIM-kartela.


Ejup Qerimi para se të vinte si drejtor në Telekom kishte qenë udhëheqës në kompanin rivale IPKO, më saktësisht udhëheqës i zyrës për menaxhimin e projekteve dhe anëtar i menaxhmentit, ku ka implementuar projekte të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve në ”IPKO Telecommunications”.

Dhe është pikërisht kjo periudha kur edhe filloj rënia drastike e fitimeve në Telekom dhe njëkohësisht periudha kur filloj ta rriste ndjeshëm klintelën kompania ”IPKO Telecommunications”.

E tërë kjo dyshohet se është bërë qëllimisht për ta dëmtuar PTK-në në mënyrë që të fuqizohej IPKO kompania në të cilën kishte qenë udhëheqës Ejup Qerimi para se të vinte drejtor në PTK.

Në një grafikë të siguruar nga Indeksonline, të publikuar nga ARKEP në periudhën kohore 2012-2017 vërtetohet se rënien më të madhe Posta e ka patur pikërisht në kohën kur Ejup Qerimi ka qenë në krye të PTK-së kur nga 64.3% të tregut, pati rënie në 53%. Në të njëjtën periudhë kohore, IPKO nga 25% të tregut kishte rritje në 36%.


Kompania Z-Mobile e kishte paralajmëruar PTK-në për shkelje të marrëveshjes dhe dëmtimin që po i bëhej kësaj kompanie por as këto paralajmërime nuk ishin përfillur nga ana e PTK-së.

Z-Mobile e kishte paditur PTK-në në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit. Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Dhe është pikërisht ky dënimim i cili erdhi nga gjykata e arbitrazhit i cili po e rrezikon falimientimin e PTK-së. Vitin e kaluar parlamenti i Kosovës e ka krijuar një komision hetimor parlamentar për ta hetuar tërë veprimtarinë e Telekomit të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Indeksonline u ka dërguar pyetje anëtarëve të këtij komisionit për të mësuar se a po hetohet edhe mënyra se si ka ardhur në krye të PTK-së Ejup Qerimi nga udhëheqës në ”IPKO Telecommunications”.

Por, përveç Armend Zemaj si anëtarë i këtij komisioni, të tjerët nuk janë përgjigjur në pyetjet tona. As kryetari i këtij komisioni Visar Imeri nuk ka kthyer përgjigjie për këtë çështje.

Milaim Zeka ka thënë se nuk mund të përgjigjet me shkrim për këtë çështje ndërsa Blerta Deliu dhe Haxhi Avdyli si anëtarë të këtij komisioni nuk kanë kthyer përgjigjie.

Deputeti Armend Zemaj thotë se ne jemi duke vazhduar punën dhe çdo informatë do të jetë e dobishme për komisionin gjatë fazës sa po vazhdojnë hetimet.

“Komisioni hetimor parlamentar në planin e punës sipas mandatit hetimor ka perfshirë të gjithë periudhën e pasluftës njëherit të gjithë përgjegjësit nga ata politik, te bordeve, ekzekutiv dhe njerëzve të ndërlidhur me dyshimet për krim te organizuar, shkatërrim të qëllimshëm për përfitime personale dhe të grupeve te caktuara të PTK-së në tërësi që theksi i veçant është tek Telekomi i Kosoves si aset i rëndësishëm zhvillimor i vendit.

Çdo informatë shtesë nga mediat, shoqeria civile, qytetarë, punetorë të Telekomit e dërguar tek ne i ndihmon punës së komisionit dhe Kuvendit për adresimin dhe pasqyrimin e gjendjes si dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë atyre që kanë gisht në shkatërrimin e këtij aseti zhvilimor” thuhet në përgjigjien e deputetit Zemaj.

Ejup Qerimi ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të PTK-së në tetor të vitit 2014 nga Bordi drejtues i PTK-së që njoftoi se shkarkimi bazohet në nenin 18.3 të Ligjit për Ndërmarrje Publike. Ky nen obligon bordin që të marrë masa në rast të dështimit të ndërmarrjes./Indeksonline/