21:59 / E Enjte, 25 Korrik 2019 / indeksADMonline

Ja si t’i trajtojmë hemoroidet pa iu nënshtruar kirurgjisë

Hemoroidet janë ndër patologjitë më të shpeshta që shfaqen tek të gjitha grupmoshat. Trajtimi është efikas nëse zbulohen herët. Shtatzënia, mosha, kapsllëku kronik, diarreja, stili i jetesës, veçanërisht regjimi ushqimor, si dhe sëmundje të ndryshme ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, e cila bën që venat përreth anusit ose pjesës së poshtme të rektumit të jenë të fryra dhe të skuqura.

Dhimbja dhe vështirësitë në jashtëqitje e gjakrrjedhja janë ndër simptomat karakteristike që paralajmërojnë praninë e hemorroideve. Në rastet kur neglizhohet kujdesi mjekësor që në stadet e para të shfaqjes së sëmundjes, trajtimi mund të përfundojë në kirurgji. Megjithatë, sëmundja nuk paraqet pasoja për jetën e pacientit. Mjekja infeksioniste Ilda xhelili, tregon për lexuesit e “Dita”, si të kujdesemi që trajtimi i hemorroideve të arrihet pa përfunduar në bisturi.

Mjekja thekson se është shumë e rëndësishme që të kërkoni ndihmën e mjekut, pasi shpesh herë hemorragjia në jashtëqitje mund të jetë shenjë e sëmundjeve të tjera të traktit tretës, përfshirë dhe kancerin e zorrës së trashë. Fatkeqësisht shumë prej pacientëve e zbulojnë shumë vonë këtë kancer, si shkak i ngjashmërisë së simptomave me të hemorroideve, si dhe praktikës së gabuar të marrjes së qetësuesve nëpër farmaci, pa u këshilluar më parë me një mjek specialist.

Megjithatë, për të përjashtuar mundësinë e ndonjë sëmundjeje tjetër të traktit tretës, është shumë e rëndësishme të kryhet videokolonoskopia, e cila përcakton me saktësi se bëhet fjalë për këtë patologji e jo ndonjë tjetër.

Çfarë kuptojmë me hemorroide?

E njohur ndryshe në gjuhën e përditshme popullore si “majasëll”, hemorroidet janë struktura vaskulare (të enëve të gjakut) të pjesës së fundit të zorrës së trashë (rektumit), në nivel të daljes së jashtme të anusit. Në gjendjen e tyre normale këto vena luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në kontrollin e defekimit (jashtëqitjes). Ato bëhen patologjike (pra të sëmura)kur fryhen dhe skuqen. Pikërisht në këtë moment ato emërtohen si sëmundje hemorroidale (ose majasëlli). Hemorroidet klasifikohen në dy kategori, në hemorroide të brendshme dhe në hemorroide të jashtme. Në shumë raste mund të kemi njëkohësisht kombinimin e të dyja formave. Pikërisht në bazë të këtij klasifikimi përcaktohen edhe simptomat klinike të kësaj patologjie, si dhe jepen trajtimet që duhen ndjekur.

Po cilat janë shenjat klinike të hemorroideve?

Hemorroidet e brendshme janë të vendosura në pjesën e brendshme të zorrës së trashë (rektumit) dhe nuk paraqesin ndonjë problem klinik, derisa ato të jenë zgjeruar ndjeshëm. Shenja kryesore e këtyre është gjakderdhja gjatë momentit të defekimit, përzierja e materialeve fekale me gjak të kuq, ose gjatë përdorimit të letrës higjienike. Dhimbja perceptohet në rastet kur në këto vena të zgjeruara ndodhin fenomene të trombozës (koagulimi, mpiksja e gjakut në këto vena). Ndonjëherë, hemorroidet e brendshme mund të prolabojnë (rrëshqasin) jashtë anusit. Kjo perceptohet si një zonë e lagësht e lëkurës që mund të dëmtohet lehtë dhe jo rrallë perceptohen dhimbje pasi këto zona janë mjaft të pasura më terminacione nervore.

Në rastin e rrëshqitjes, hemorroidet mund të shtyhen butësisht brenda për të eliminuar kështu dëmtimin e tyre dhe rrjedhimisht, perceptimin e dhimbjes. Gjakderdhja qe ndodh në këto raste, në përgjithësi nuk është e rëndësishme sa për të shkaktuar anemi apo probleme serioze për jetën. Shumë njerëz ndihen mjaft në siklet kur përballen me këtë problem dhe kërkojnë ndihmë mjekësore kur sëmundja ka avancuar shumë.

Kurse, hemorroidet e jashtme janë prezente jashtë zonës së anusit. Simptoma kryesore e këtyre është dhimbja, por edhe gjakderdhja kur ato dëmtohen. Ato mund të fryhen, të enjten apo edhe të shkaktojnë probleme me higjienën duke acaruar lëkurën përreth anusit. Në rastin e trombozës, pamja e jashtme bëhet pak e frikshme, vena e fryrë ka pamje të purpurt në blu të errët dhe mjaft e dhimbshme.

Edhe pse situata klinike mund të marrë pak kuadër dramatik, tromboza e hemorroideve trajtohet mjaft mirë nga mjekët nëse paraqiteni në kohën e duhur, si dhe nuk përbëjnë rrezik për jetën. Prandaj, mos hezitoni të kërkoni ndihmën e mjekut edhe pse zona është pak e sikletshme. Evitoni ndjenjën e turpit për të marrë ndihmën e nevojshme në kohën e duhur. Nga sëmundja hemorroidale preket shumica e popullsisë, megjithatë vetëm rreth 4 për qind e tyre paraqesin probleme serioze. Përsa i përket seksit, preken njësoj si femrat ashtu edhe meshkujt dhe kjo patologji arrin kulmin midis moshave 45 dhe 65 vjeç.

Cilët janë faktorët predispozues të hemorroideve?

Nuk është se njihet shkaku i saktë i kësaj patologjie, por si faktor kryesor renditet presioni i rritur në zonën e barkut që mund të vijë për arsye të shumta. Ky presion shkakton çrregullime në qarkullimin e gjakut dhe fryrjen e venave përkatëse. Presioni i lartë në zonën e barkut mund të vijë nga obeziteti, sëmundje të ndryshme si në rastin e ascitit (grumbullimi i lëngjeve në bark nga sëmundje të ndryshme). Tek gratë gjatë shtatzanisë prania e fetusit, por edhe ndryshimet hormonale që shoqërojnë këtë periudhë janë shkaktarë të venave hemorroidale.

Po ashtu rritje të presionit kemi edhe gjatë aktit të lindjes, por që kjo situatë normalizohet pas lindjes. Ndër faktorë të tjerë rreziku për këtë patologji mund të përmendim qëndrimet e gjata në këmbë ose ulur (pra këmbët e varura), faktorët gjenetikë (predispozicioni familjar), çrregullimet e valvulave të venave në këto zona (qoftë edhe si rezultat i procesit natyral të plakjes), kolla kronike, teshtimat e forta e të shpeshta, të vjellat apo edhe lodhja e tepërt në punët fizike (në mënyrë të veçantë ngritja e peshave të rënda). Ndër faktorët ushqimorë renditen dietat e varfra në fibra që çojnë në çrregullime të jashtëqitjes (alterimet e konstipacionit me diarrenë). Edhe aktiviteti i rregullt sportiv ka vlerat e veta pozitive.

Duke u ndalur konkretisht tek dieta, si ndikon regjimi ushqimor që ndjekim në shfaqjen e hemorroideve?

Ushqimi besohet të ketë një rol shumë të rëndësishëm në shkaktimin dhe parandalimin e hemorroideve. Njerëzit që përdorin dieta të pasura me fibra kanë më pak të ngjarë të preken nga kjo patologji, ndërsa ata që preferojnë ushqimet e përpunuara kanë rrezik më të lartë. Sot, ka një tendencë gjatë ushqyerjes për të përdorur shumë lëngjet e frutave dhe të perimeve, qofshin këto të konservuara apo edhe të freskëta.

Në këtë mënyrë kemi eliminuar pjesën e fibrave tek frutat dhe perimet. Vlera e tyre nuk qëndron vetëm tek lëngu, por tek tërësia. Nëpërmjet frutave dhe perimeve ne marrim vitaminat, kripërat minerale, por edhe fibrat. Të pasura në fibra janë gjithashtu edhe të gjitha llojet e drithërave. Fibrat rregullojnë mjaft mirë motorrikën e zorrëve dhe rrjedhimisht procesin e jashtëqitjes.

Si trajtohen hemorroidet?

Trajtimi varet nga faza e sëmundjes në të cilën paraqitemi te mjeku. Fillimisht drejtohemi te mjeku i familjes, i cili mund bëjë rekomandimin përkatës për te mjeku specialist kirurg, proktolog apo edhe gastroenterolog. Në fazat e para mund të jenë mjaft efikase trajtimet konservatore me qetësues dhimbjesh, qofshin këto të përgjithshme apo lokale (në formën e kremrave apo suposteve). Rekomandohet përdorimi i lëngjeve për të ruajtur hidratimin e përgjithshëm të organizmit dhe ushqimet e pasura me fibra (drithëra, fruta, perime).

Fazat e tjera mund të kërkojnë manipulime të mjekëve kirurgë. Theksoj se asnjëherë nuk duhet të drejtoheni direkt në farmaci për të marrë mjekimin sepse shumë patologji serioze të zorrës mund të neglizhohen duke menduar se vuani nga hemorroidet (majasëlli). Mos nënvleftësoni vlerësimin klinik dhe ekzaminimin fizik që kryen mjeku. Çdo recetë mjekësore është vetëm kompetencë e mjekut dhe jo e farmacistit. Gjithashtu në kushtet e shtëpisë rekomandohen banja të vakëta tre herë në ditë për 15 minuta për të shmangur inflamacionin (infeksionin) e hemorroideve. Pas dushit duhet të thani me kujdes zonën përreth anusit për të eliminuar irritimin e lëkurës.