09:46 / E Premte, 24 Janar 2020 / indeksADMonline

Yjet, që do të luajnë në ndeshjen e “All star 2020”

Është publikuar lista e basketbollistëve për ndeshjen “All star”.

Kapitenë do të jenë ata dy që ishin edhe herën e fundit. Giannisi dhe Lebron Jamesi dhe lista prej të dyja konferencave është e fuqishme dhe bindëse.

Luka Donçiq do të shkruajë historinë teksa bëhet lojtari më i ri evropian që merr pjesë në ndeshjen “All star”.

Giannis Antetokounmpo, siç bëri edhe vitin e kaluar, do të jetë kapiteni nga konferenca lindore. Me 30 pikë, 12.9 kërcime dhe 5.6 asistime për ndeshje, greku është ende në majë dhe në garë për titull dhe MVP, midis çmimeve të tjera që e vendosin Milwaukee Bucksin e tij si ekipi favorit për të fituar në lindje.

Ndër lojtarët që vijnë nga ajo konferencë, do të ketë dy debutues: Pascal Siakami (Toronto Raptors) dhe Trae Young (Atlanta Hawks). Joel Embiidi dhe Kemba Walkeri e plotësojnë pesëshen e zgjedhur.

Në konferencën perëndimore nuk pati befasi të mëdha. Lebron Jamesi do të jetë sërish kapiten dhe do të shoqërohet nga shoku i tij i skuadrës në Los Angeles Lakers, Anthony Davis (paraqitja e shtatë radhazi). Kawhi Leonardi, MVP i finales së fundit në NBA, nuk do ta humbasë emërimin dhe do të përfaqësojë Los Angeles Clippersin. Luka Donçiq (Dallas Mavericks) do të debutojë në ndeshjen e yjeve, siç pritej dhe i ka tejkaluar në të gjitha votat ndaj James Hardenit (Houston Rockets). Tifozët, lojtarët dhe media vendosën fenomenin slloven para liderit në shënimin e ligës.

Tifozët kanë kontribuar 50 për qind të votave për të përcaktuar titullarët, ndërsa lojtarët dhe gazetarët që mbulojnë NBA jepnin nga 25% secila.

Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën, më 16 shkurt./Indeksonline/