10:50 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kërcënimi i vonuar dhe populizmi i presidentit Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vazhduar të mbrojë idenë e tij që kosovarëve t’ua mundësojë lëvizjen e lirë përmes pajisjes me pasaporta të Republikës së Shqipërisë.

Krejt kjo, sipas presidentit duhet të bëhet për t’iu shmangur, sipas tij padrejtësive që BE-ja po ua bën qytetarëve të Kosovës për mosliberalizimin e vizave.

Këtë “kërcënim” të Thaçit, analistë politik në Kosovë po e shohin si jo real, populizëm dhe të vonuar.

Sipas njohësit të rrethanave politike në vend, Artan Muhaxhiri, diskursi i Thaçit ndaj ndërkombëtarëve është befasues.

“Ashpërsia e qëndrimeve të Presidentit Thaçi ndaj bashkësisë ndërkombëtare është befasuese duke e pasur parasysh qasjen e tij tradicionalisht bashkëpunuese, posaçërisht në raport me dialogun në Bruksel dhe Gjykatën Speciale. Ky ndryshim i madh i diskursit të tij dëshmon se në këto procese kemi të bëjmë me hipokrizi dhe lajthitje të madhe – ose nga bashkësia ndërkombëtare, ose nga Presidenti Thaçi. Është e pamundur që të dyja palët ta thonë të vërtetën nëse tash ballafaqohen pohime me ekstreme”, ka thënë Muhaxhiri për AktivPress.

Ndërkaq për idenë e vizave, ai shton se opsioni i presidentit nuk ka të bëjë me realitetin.

“Ideja e Presidentit Thaçi për t’i bishtnuar mungesës së liberalizimit të vizave për kosovarët me anë të pajisjes kolektive me pasaporta të Shqipërisë është një kërcënim i vonuar, populizëm i tejdukshëm, tentim për largim të përgjegjësisë dhe s’ka të bëjë asgjë me realitetin gjeopolitik”, ka deklaruar ai.

Opsion joreal kërkesën e Thaçit ndaj Shqipërisë për vizat e ka quajtur edhe analisti politik Rrahman Paçarizi.

“Kërkesa e presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi drejtuar homologut të nga Shqipëria nuk është një opsion real, por më shumë një formë e presionit ndaj Bashkimit Evropian për shkak të izolimit të Kosovës përmes vënies së kushteve unike për liberalizim. Një strategji dhe diskurs i tillë mund të prodhojë efekte por janë sallto mortale, rezultati i të cilave është i paparashikueshëm”, ka thënë Paçarizi për AktivPress.

Ndërkaq, sipas Muhaxhirit, me ndryshimin e madh të qasjes, presidenti Thaçi ka bërë një hap i cili ia imponon kontinuitetin diskursiv edhe në kryeqendrat botërore.

“Prandaj prej tash të njëjtat pikëpamje do të duhet t’i paraqesë edhe në Bruksel, Berlin dhe Uashington”, shton më tej ai.

Në qoftë se Shqipëria do të niste zbatimin e kërkesës së Thaçit, sipas Muhaxhirit ideja e presidentit do të ishte e pritshme të përballej në reagim të ashpër nga ana e BE-së.

“Nëse eventualisht do të fillonte ndonjë hap konkret në këtë proces të pajisjes së kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë, do të ishte e pritshme që ai me automatizëm të haste në reagim të ashpër nga Bashkimi Europian.Me shumë gjasa, Komisioni Europian do ta rekomandonte suspendimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, duke i shkaktuar dëme Kosovës edhe Shqipërisë në rrugët e tyre integruese”, thekson analisti.

Ai vlerëson se Kosovës i janë bërë padrejtësi nga Bashkimi Evropian që nuk i janë hequr kufizimet e vizave, pasi sipas tij, në shumë fusha institucionale Kosova qëndron më mirë sesa vendet e rajonit të cilave tashmë u janë hequr kufizimet e vizave.

“Ndonëse Kosova ka bërë kompromise të jashtëzakonshme shtetërore në dialogun me Serbinë, dhe veçanërisht për themelimin e Gjykatës Speciale, përfaqësuesit institucionalë – në radhë të parë vetë Presidenti Thaçi – deri më tash kanë bërë tepër pak për arritjen e përfitimeve politike nga Bashkimi Europian për qytetarët kosovarë”, vlerëson Muhaxhiri.

Presidenti Hashim Thaçi përkundër vendosshmërisë për pasaportat e Republikës së Shqipërisë për kosovarët, ka zbutur diskursin e tij ndaj Gjykatës Speciale.

Ai ka deklaruar se qëndrimet e tij për Specialen janë keqkuptuar qëllimshëm.

Presidenti ndër të tjerash në fjalimin e javës së shkuar ishte shprehur, se si kusht për miratimin e Speciales, BE-ja i kishte premtuar Kosovës liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare./Emirjeta Vllahiu/ AktivPress