09:29 / E Hënë, 21 Nëntor 2022 / B O

Kërkesa e “Al Kaedës” për myslimanët: Mos ndiqni Botërorin

Al Kaeda u ka kërkuar myslimanëve anembanë botës që “mos ta ndjekin Botërorin as në stadium dhe as nga shtëpia”.

Al Kaeda ka kritikuar vendin pritës, Katarin, për faktin se ka sjellë në rajon “njerëz të pamoralshëm, homoseksualë, dhe mbjellës të ateizmit”.

Përveç kësaj, Al Kaeda pohon se Kupa e Botës në fakt shërben për të larguar vëmendjen nga “pushtimi i vendeve myslimane dhe shtypja e tyre”.

“Ne paralajmërojmë vëllezërit tanë myslimanë që të mos e ndjekin këtë ngjarje ose të mos marrin pjesë në të”, thuhet në deklaratën e lëshuar fundjavën e kaluar.

Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e lirive themelore të Katarit, duke përfshirë të drejtat LGBT, të drejtat e grave dhe kufizimet sociale, organizatorët e Kupës së Botës kanë raportuar se të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjinia, orientimi seksual apo feja, janë të mirëpritur gjatë Kupës së Botës.

Me rreth 3 milionë banorë, kryesisht punëtorë të huaj, Katari pretendon se ka trajnuar më shumë se 50 000 njerëz për të ofruar siguri gjatë Kupës së Botës. Do të ketë edhe ndihmën e forcave të huaja policore, nën komandën e vendit pritës.