11:05 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / L K

Kërkesa e ministres Haxhiu për komunat, reagon Asociacioni…

Në cilësinë e Koordinatores kombëtare kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, javën e kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu është drejtuar 38 kryetarëve të komunave të Kosovës, me kërkesën për zbatim të obligimeve që dalin nga Strategjia kundër dhunës.

Krahas angazhimit nga niveli qendror, ajo thotë se janë rreth 40 obligime që duhet të adresohen nga komunat ashtu që të kontribuohet përmbajtësisht në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore.

Në lidhje më këtë, ka reaguar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ku ka thënë se zgjidhja e këtyre çështjeve bëhet vetëm me amendamentimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal.

Ibrahimi për IndeksOnline tha se komunat janë duke u munduar të bëjnë më të mirën në lidhje më këtë problematikë, duke i marrë parasysh edhe mundësitë buxhetore të komunave.

“Ministre Haxhiu, komunat me mundësitë e tyre buxhetore dhe njerëzore janë duke u munduar të bëjnë më të mirën sa i përket këtyre çështjeve që ju i keni adresuar në letrën tuaj drejtuar kryetarëve të komunave, mirëpo zgjidhja e këtyre çështjeve bëhet vetëm me amandamentimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal. Arsyeja se përse po e themi këtë është se në draftin final të këtij ligji të hartuar nga grupi punues është paraparë edhe granti specifik për shërbime sociale ku këto çështje të ngritura nga ju drejtuar kryetarëve të komunave i jepet zgjidhje e qëndrueshme”, ka thënë Ibrahimi, përcjell IndeksOnline.

Drejtori i AKK-së tha se është lehtë të hartohet strategjia pa përkrahje financiare për zbatimin e tyre.

Me tej, ai i ka bëre thirrje edhe ministrit Murati, i cili sipas Ibrahimit nuk po e procedon qe 3 vjet ligjin, pasi do të gjenin zgjedhje komunat për shumë probleme të tjera.

“Është mirë të pyesni ministrin Hekuran Murati se përse nuk po e procedon qe 3 vite këtë ligj të domosdoshëm për komuna ku përveç këtyre problemeve dhe sfidave të ngritura nga ana juaj, me miratimin e Ligjit për financa të pushtetit lokal edhe shumë probleme të tjera do të gjenin zgjidhje. Ministre Haxhiu, duhet mare parasysh se kufijtë buxhetorë edhe për punësime caktohen nga niveli qendror. Është mirë të bisedoni me ministrin Murati që këta kufij buxhetorë për punësime në sektorin e mirëqenies sociale përfshirë edhe qendrat për punë sociale të ndryshohen dhe t’u lejohet komunave punësimi i kapaciteteve të reja njerëzore në këtë sektor. Duhet ditur se Qeveria… ndan grantin e përgjithshëm për komuna ku pjesa më e madhe e mjete financiere shkon për paga dhe nga ky grant komunat mundohen që të ndajnë mjete edhe për shërbime sociale. Ky është realiteti. Është lehtë të hartohen strategji pa përkrahje financiere për zbatimin e tyre. Pra, ministre Haxhiu, ju lutem bisedoni me ministrin Murati që ta përshpejtojë miratimin e projekt ligjit për financa të pushtetit lokal në mënyrë që edhe ju t’i ndihmoni komunat në zbatimin e brengave të dërguara te kryetarët e komunave. E mirëpresim çdo bashkëpunim të sinqertë rreth zgjidhjes së këtij problemi”, vijojë Ibrahimi./IndeksOnline/