12:02 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / OSH

Kërkohet paraburgim për grupin e arrestuar dje për dallavere me subvencione

Njësia Speciale në koordinim me Prokurorinë në Prishtinë dje ka kryer një aksion në Ministrinë e Bujqësisë.

IndeksOnline ka raportuar ekskluzivisht për këtë ngjarje.

Dje janë arrestuar 12 zyrtarë në këtë institucion, një prej tyre është liruar, nën dyshimin për veprat penale: “marrje e dhënie ryshfeti, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dhënie e ndihmës në kryerjen e veprave penale”

Kurse sot kërkohet paraburgim për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për personat me inicialet S.SH., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U.

Komunikata:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i krimeve të rënda-Njësiti për krime ekonomike dhe korrupsion, njofton opinionin se nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunat: Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Istog e Lipjan, me aktvendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.SH., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., SH.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.

Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433.160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë. 

Prokurori i shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për personat me inicialet S.Sh., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U., për shkak të dyshimit se ata kanë kryer veprat penale: “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, për personat me inicialet D.A., P.K., SH.K., K.B-S., për shkak të dyshimit se ata kanë kryer veprat penale: “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, si dhe për personin me incialet S.S., për shkak të dyshimit se ai ka kryer veprën penale: “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.​