11:52 / E Martë, 07 Mars 2023 / S Z

Klinika e Mjekësisë Nukleare s’ka dhomë izolimi, pacientët paguajnë mijëra euro jashtë Kosovës për Radiojod terapi

Të gjithë pacientët të cilët kanë probleme me gjëndrën tiroide e duhet të trajtohen me Jod Radioaktiv “131-J”, referohen që këtë ta bëjnë jashtë Kosovës, pasi që Klinika e Mjekësisë Nukleare, nuk e posedon dhomën e veçantë të izoluar, në të cilët pacientët duhet ta marrin Radiojod terapinë.

E pacientët detyrohen që të harxhojnë shuma të majme parash, për marrjen e terapisë Radiojod, jashtë kufijve të Kosovës si në Maqedoni, Shqipëri dhe Turqi. E marrja e Jodit radioaktiv nëpër vendet përreth Kosovës, pacientëve u kushton hiq më pak se 3 mijë euro.

Pacientja L.T e cila kishte probleme me gjëndrën tiroide, pas operimit që bëri, iu rekomandua nga mjekët në QKUK me urgjencë që të marrë terapinë me jod 131-J. Por asaj iu dha dhe dokumenti  në të cilin  thuhej se kjo terapi nuk mund të aplikohet në QKUK.

“Rekomandohet për terapi ablative me 131-J me Urgjencë. Por që për momentin nuk mund të aplikohet në SHSKUK-QKUK, prandaj udhëzohet që të shkojë në ndonjë institucion tjetër përkatës,  ku mund të trajtohet. Arsyeja e referimit jashtë ShSKUK-së: Ne si shërbim Klinik i mjekësisë Nukleare në QKUK nuk e kemi ende dhomën për aplikimin e Radiojod terapisë “, thuhet në dokumentin e pacientes në fjalë, e cila referohet që këtë terapi ta marrë jashtë QKUK-së.

E pacientja L.T thotë se i është dashur që t’i kontaktojë klinikat në Shkup e Tiranë, tek të cilat për të marrë Jod terapinë duhet t’i paguante 3 mijë euro. E ajo kishte zgjedhur Turqinë për të marrë terapinë e cila i ishte udhëzuar nga QKUK-ja.

” Unë u përballa me problemin e gjëndrës tiroide për të cilën duhej trajtim urgjent. Në QKUK më thanë se aty nuk e kanë dhomën ku merret jodi radioaktiv dhe unë e detyrova të shikojë ku mund ta bëjë këtë jashtë vendit. Edhe pse me çmim të lartë pasi që kushtonte 3 mijë euro, duhej të bëja të pamundurën që ta merrja këtë terapi, pasi që ishte në pyetje shëndeti im. Më është dashur t’i siguroj të hollat dhe këtë procedurë e përfundova në një spital të Turqisë”, thotë ajo.

Drejtori i Klinikës së Mjekësisë Nukleare Fakir Spahiu u shpreh i gatshëm që të flas për këtë problematikë për IndeksOnline. Por një gjë e tillë iu pamundësua nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK), i cili nuk preferoi të jap leje për ekipin e Indeksonline, që të zhvilloj intervistën me drejtorin Spahiu.  Menaxhmenti i SHSKUK-së i cili e ka në dorë t’i ndalojë drejtorët të flasin për tema të cilat janë të rëndësishme për pacientët, herë pas here e shfrytëzon “fuqinë” që ka mbi drejtorët, duke ua mohuar atyre të flasin.

Megjithatë IndeksOnline pasi që menaxhmenti i SHSKUK-së ia ndaloi qasjen në këtë klinikë dhe intervistën me drejtorin, i ka adresuar pyetjet drejtorisë në SHSKUK, por se as nga ata nuk mori përgjigje, se pse QKUK- ja nuk e ka dhomën ku pacientët mund të marrin Jodin radioaktiv, por për kaq vite pacientet referohen të dalin jashtë Kosovës për një gjë të tillë.

E deputetja nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë për IndeksOnline se ajo e kishte ngritur zërin për këtë problematikë, me të cilin po përballen pacientët në mungesë të një dhome izolimi, por se nuk ka marrë përkrahjen e deputetëve.

“Kur ka qenë në shqyrtim Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2023 unë kam paraqitur Amandament në Komisionin për Buxhet dhe Financa, gjithashtu e kam paraqitur në seancë para deputetëve. Në fakt unë kam marrë informacione se ata  për shkak të një dhome të izoluar, nuk kanë mundësi ta japin jod terapinë në Prishtinë dhe të njëjtën terapi detyrohen që pacientëve me ia rekomandu që me shku me marrë  në Shkup apo në Shqipëri. Është maltretim shumë i madh për pacientët dhe shumë i kushtueshëm”, tha ajo.

Ndërsa thotë se nuk duhet investim i madh për një dhomë të tillë pasi që ka një kosto rreth 70 mijë euro, pasi që ekziston hapësira fizike në Klinikën e Mjekësisë Nukleare për dhoma të tilla..

“Jam informuar se kjo kushton jashtëzakonisht pak. E kanë hapësirën fizike në klinikë. Krejt çka iu duhet është ta bëjnë një projekt Ministria e Shëndetësisë apo SHSKUK-ja në mënyrë që me i nda mjetet. Unë e pata marrë si obligim duke ditur gjendjen e pacientëve, meqenëse ishte investim jashtëzakonisht i vogël  e kam bërë kërkesën për rreth 70 mijë euro. Por fatkeqësisht jo vetëm ai amandament po asnjë kërkesë e jona e deputetëve të opozitës, nuk është përkrahë në seancë. Me të vërtetë shpresoj që SHSKUK-ja ose MSH në mesin e investimeve kapitale ka me gjet hapësirë për një  projekt të tillë. Sepse është gjynah me i maltretu pacientët, që  menjëherë pas operacionit me shku me marrë një terapi të cilën në mungesë të asaj dhome duhet të shkojnë jashtë vendit”, tha ajo.

Për Bajramin është skandaloze se si Ministria e Shëndetësisë nuk e ka paraparë një projekt të tillë

“Më skandaloze është që vet ministria nuk e ka pa të arsyeshme me parapa një projekt të tillë”, thotë ajo.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje nuk është përgjigjur në pyetjet e Indeksonline, duke pohuar se është ShSKUK-ja ajo që duhet të merret me çështje të tilla.

“ShSKUK është organizate e veçante buxhetore dhe planifikimi i furnizimit të klinikave me barna dhe çështjet menaxheriale bëhen nga vet ShSKUK. Prandaj, lidhur me pyetjet e juaja, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së./IndeksOnline/