13:55 / E Premte, 26 Prill 2024 / L K

Komisioni hetimor do të ftojë dëshmitarë për punën e anëtarëve të shërbimit të jashtëm

Komisioni hetimor parlamentar në mbledhjen e radhës ka diskutuar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës së anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, harton planin e punës së komisionit.

Kjo ishte mbledhja e tretë e këtij komisioni pasi që dy të parat dështuan në mungesë të kuorumit. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që të dërgohet buxheti i komisionit dhe pastaj të diskutohet. U kërkua që të caktohen edhe ekspertët që do të merren me listën e dëshmitarëve. U votua plani i punës pasi që kishte edhe kuorum.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, në cilësinë e kryetares së komisionit tha se në bazë të praktikave të mëhershme, zgjidhen edhe ekspertët.

“Ekspertët duhet të jenë të lamisë dhe që e njohin punën dhe me i përzgjedh. Ne do ta miratojmë raportin e këtij komisioni hetimor por edhe që ata do të na ndihmojnë shumë gjatë punës. Unë pajtona me komentet e gjithsecilit. Unë propozoj ta votojmë me mundësi të plotësimit dhe ndryshimit”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj tha se duhet të flasim edhe rreth buxhetit pasi që duhet të angazhojmë ekspertë.

“Është mirë me i angazhu dy ekspertë, ta bëjmë një plan buxhetor dhe në mbledhjen e  radhës së Parlamentit ta dërgojmë këtë kërkesë të Komisionit Hetimor për miratim të buxhetit duke i përfshirë edhe buxhetin për angazhimin e dy ekspertëve. Pra ta lëmë stafin që të merret me këtë çështje”, tha Kadrijaj.

Zyrtarët e kuvendit thanë se drafti i kërkesës për buxhet është i gatshëm por nuk e kanë sjellë pasi që nuk ishte në rend të ditës.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arjana Musliu – Shoshi tha se duhet ta kenë prioritet listën e dëshmitarëve.

“Është me prioritet ta miratojmë edhe listën e dëshmitarëve. Mendoj se si komision duhet me i dorëzu emrat, fushëveprimin, do të ishte mirë me i caktu sot ose me i sjell emrat që do të jenë dëshmitarë në këtë komision dhe ti trajtojmë në mbledhjen e radhës”, ka thënë Shoshi.

Me këtë është pajtuar kryetarja e komisionit, Kadrijaj.

Po ashtu, u vendos që mbledhja e radhës të mbahet të martën në ora 15:00.