11:07 / E Enjte, 09 Qershor 2022 / B O

Komuna e Istogut do të prezantojë si dhurata emblema të vjetra iliro-dardane

Komuna e Istogut nga sot do të prezantojë si dhuratë emblemën e hyjit pagan ilir, të rrushit dhe verës, “Kulti i Dionizit”, artefakt ky, i gjetur në vitin 2007 në fshatin Vrellë. Njoftimi jipet nga Klubin Alpin “Podguri”.

Kulti i Dionizit” prezanton njërën nga veprimtaritë themelore, që popullata iliro-dardane e kishte veprimtari ekonomike, kultivimin e hardhisë së rrushit dhe i njëjti gjindet në Muzeun e Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë nga Klubi Alpin Podguri:

Nga sot e tutje Komuna e Istogut do të prezantojë si dhuratë emblemën e hyjit pagan ilir, të rrushit dhe verës, “Kulti i Dionizit”, artefakt ky, i gjetur në vitin 2007 në fshatin Vrellë. “Kulti i Dionizit” prezanton njërën nga veprimtaritë themelore, që popullata iliro-dardane e kishte veprimtari ekonomike, kultivimin e hardhisë së rrushit. Gjendet në Muzeun e Kosovës, si njëra ndër vlerat e çmuara të trashëgimisë arkeologjike.
Ideja e Klubi Alpin Podguri ka qenë që kjo figurë artistike e gdhendur në gur, nga skulptori Butrint Morina, të jetë njëra ndër dhuratat e çmuara që do t’iu dhuruohet turistëve, mysafirëve dhe dashamirëve që do të vijnë ta vizitojnë Komunën e Istogut, pasiqë një gjë e tillë na ka munguar deri më tani, e që më anë të saj ne e pasurojmë dhe dëshmojmë të kaluarën tonë.
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur të realizohet pa miratimin e Kryetarit tonë të dashur z. Ilir F. Ferati. Përkrahja e tij e forte, na bën që ne të punojmë dhe ta ngrisim komunën tonë në hartat turistike ndërkombëtare, që Komuna e Istogu të vizitohet me kurreshtje nga turistë të huaj dhe vendor, si një ndër qytet me trashëgimi të pasur arkeologjike, ende të pa njohur për rajonin dhe më gjerë.
Më poshtë po ju japim një përshkim të shkurtër për emblemën e hyjit pagan ilir, “Kulti i Dionizit”.
Relievi i hyjnive të verës në Dardani-Kulti i Dionizit
Pllaka votive nga mermeri i bardhë vendor, e cila ka marrë patinë të ngjyrës së kuqërremtë, u zbulua pas vërshimit të përroit të “Lugut të Madh”, në qershor të vitit 2007, nga Esat Danaj. I kushtohet kultit të Liberit (Dionizit). Ajo është punuar në reliev. Ka pësuar disa dëmtime. Ka formë të ikonës piramidale me mbaresë harkore dhe përmasa 51x46x11-18cm. I takon fundit të shek. II apo fillimit të shek. III. Pllaka është profilizuar anash dhe është gdhendur në anën e përparme. E papunuar është lënë vetëm ana e pasme. Në anën e përparme, në një çast festimi janë përjetësuar pesë figura mitologjike, hyji i verës, haresë dhe vegjetacionit, Liberi dhe suita e tij (thiasos). Liberi është dhënë frontalisht në qendër të relievit, me përmasa më të mëdha se sa figurat tjera, gjysmëlakuriq, i veshur me lëkurën e kaprollit apo të panterës (nebrys) dhe i mbathur me çizme. Trupi i tij peshon mbi këmbën e djathtë. Me dorën e djathtë, të ngritur lart mbi kokë, (tashti të dëmtuar së bashku me kokën), siç duket mbante kalaveshin e rrushit, ndërsa me dorën e majtë përqaf Satirin, gjysmë hyjin e pyjeve, i cili i rrin në anën e majtë. Gjysmë-hyjit i mungon koka dhe dora e majtë. Satiri është paraqitur lakuriq, në lëvizje. Këmbën e majtë e ka lakuar në gju, të djathtën e ka hedhur prapa këmbës së majtë të Liberit, ndërsa me dorën e djathtë mban për brezi Liberin. Në anën e djathtë të Liberit, e kthyer në profil në drejtim të hyjit, është paraqitur koka e një femre, me gjasë hyjnesha Libera-Bakha, mbrojtëse e bujqësisë dhe vreshtarisë, pastaj demoni i egër Sileni, dhe së fundi Pani (Sillvani), hyji i pyjeve, barinjve dhe grigjës. Koka e femrës është paraqitur me tipare të bukura e të rregullta të fytyrës, me majë të mjekrës pak të mprehtë. Sileni është dhënë si plak me mjekër e flokë të gjata kaçurrel, të rëna në tepe të kresë, e të lidhuara me një trakë në formë rrethi. Në duar mban cjapin për flijim. Pani është paraqitur gjysmëlakuriq, me pamje të frikshme, si plak me mjekër të gjatë, brirë në kokë, këmbë të dhisë, penis në ereksion, ulur mbi një shkëmb duke i rënë fyellit të barinjve-siringës. Përgjatë tërë shiritit të majtë të pllakës është skalitur dega e hardhisë së rrushit me një kalavesh rrushi, kurse në këndin e poshtëm të anës së majtë, mbi bazament, ena e vogël e verës, me dy vegje-kantari, të cilat janë simbole të kultit të Dionizit (Liberit), dhe motive thuajse të përhershme të stelave dardane. Relievi i Liberit me suitë, deri më tani i pari në Dardaninë Qendrore, ofron dëshmi mjaft të drejtëpërdrejta për njohjen dhe adhurimin e kultit të Dionizit nga dardanët, kultivimin e hardhisë së rrushit dhe prodhimin e verës. Hardhia e rrushit sipas traditave të antikitetit kultivohej thuajse në të gjitha vendbanimet e Komunës e Istogut dhe përgjithësisht në trevën e Podgurit deri para dy dekadave.
(Nga libri: Haxhi Mehmetaj, Trashëgimia arkeologjike e Komunës së Istogut, Prishtinë 2016, f.60 -61,fig.54.)