14:46 / E Premte, 19 Prill 2024 / k.v

Konjufca bën homazhe në Lipjan: E kemi borxh ndaj të rënëve për liri të punojmë për zhvillim e përparim

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Hallaq të Ri të Lipjanit dhe në Rufc të Ri, ku forcat serbe kryen krime makabre gjatë prillit të majit 1999.

Konjufca ka thënë se lufta ishte e barabartë sepse Serbia asokohe kishte vendosur të “shfaroste” çdo shqiptarë, përfshirë dhe ata që ishin të paarmatosur.

“Lufta ishte e pabarabartë, me Serbinë gjenocidale të vendosur për të shfarosur këdo që ishte shqiptar, edhe pse ata ishin të paarmatosur, me të vetmen ëndërr për të jetuar të lirë e të pavarur në atdheun e vet”, ka shkruar Konjufca.

Kryeparlamentari është shprehur se të rënët na kujtojnë se sa shumë u sakrifikua nga shumë gjenerata për ta fituar lirinë që e gëzojmë sot.

“E kemi për detyrë që të mos i harrojmë, që të bëjmë gjithçka mundemi për të vendosur drejtësi. E kemi borxh ndaj tyre që të punojmë për zhvillim e përparim, sepse ashtu i japim kuptimin më dinjitoz sakrificës së tyre”, ka shkruar tutje Konjufca.

Ai u ka thurur lavdi të rënëve në Hallaq të Vogël dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për liri.