15:01 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

KPK sqarohet lidhur me Rregulloren për emërimin e kryeprokurorëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njofton opinionin publik lidhur me shqetësimet e paraqitura përmes dy shkrimeve në media sa i përket draftimit të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës.

Ju njoftojmë se ky proces është duke u realizuar në mbështetje të plotë të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe me bashkëpjesëmarrjen e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, siç janë: përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Për hartimin e këtij drafti të rregullores janë mbajtur disa takime, në të cilat është përfunduar drafti fillestar, së bashku me dokumentet shtesë, që do të jenë pjesë përbërëse e saj.

Sa i përket shkrimeve tuaja se KPK-ja është duke eliminuar kandidatët, ju njoftojmë si në vijim:

Neni 4 i Ligjit nr. 03/L-052 për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës parasheh që:

Kryeprokuror i PSRK-së do të zgjidhet njëri nga prokurorët specialë në pajtim me procedurat e përcaktuara sipas ligjit në fuqi. 

Ky nen është riformuluar me nenin 2, paragrafi 2 të Ligjit nr.04/273 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, ku është përcaktuar se neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 4.1, emërtimi “Prokuror Special” zëvendësohet me emërtimin “Prokuror me mandat të përhershëm”.

Mirëpo, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Kosovës, në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, Ligji nr.04/273 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, figuron si i shfuqizuar, më të cilin ligj janë ndryshuar 8 ligje: Ligji nr.03/L-052 për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Ligji N\nr.03/L-053 mbi kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, Kodi Penal i Republikës së Kosovës nr. 04-L/082, Kodi i Procedurës Penale të Kosovës nr. 04-L/123, Ligji nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ligji nr. 03/L-137 për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, Ligji nr. 04/L-015 për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Kodi Doganor dhe i Akcizave të Kosovës nr. 03/L-109).

Andaj, duke marrë parasysh së në Kodin e ri Penal të Kosovës, Ligji nr.04/273 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, figuron si i shfuqizuar, KPK-ja ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të japë sqarim apo interpretim nëse ky ligj është shfuqizuar në tërësi (pra për të gjitha ligjet e ndryshuara më ketë ligj) apo vetëm sa u përket dispozitave të Kodin të ri Penal të Kosovës.

Meqenëse deri më tani, KPK-ja nuk ka pranuar ndonjë sqarim apo interpretim të Kuvendit, ende nuk kemi mundur që ta miratojmë ketë rregullore, e cila konsiderohet si njëra ndër rregulloret më të rëndësishme të sistemit prokurorial.

Në këtë kontekst nuk qëndrojnë pretendimet e paraqitura në dy shkrimet e publikuara në media se Këshilli Prokurorial i Kosovës po e neglizhon tërësisht rëndësinë e miratimit të Rregullores për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për emërimin e kryeprokurorëve apo që me Rregulloren e re tentohet të eliminohen kandidatë të caktuar nga gara për kryeprokuror special, sepse KPK-ja në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë është duke punuar në vazhdimësi për hartimin e kësaj rregulloreje dhe nuk ka synim për të eliminuar kandidatët e mundshëm për kryeprokuror, përkundrazi, dëshiron që t’u japë mundësinë të gjithë prokurorëve që i plotësojnë kushtet ligjore për pozitën e kryeprokurorit në secilën prokurori. Megjithatë, fillimisht është e domosdoshme që të eliminohen të gjitha dilemat lidhur më ligjin, që duhet të zbatohet në këto raste.

​