16:59 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

Kritiku i artit tregon se cilat duhet të jenë kriteret për shtatoren e Adem Demaçit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ngritjen e shtatores së veprimtarit Adem Demaçi, ku ka nisur procedurat për realizimin e kësaj të fundit.

Tashmë është hapur tenderi për projektimin e shtatores së veprimtarit të çështjes shqiptare, Adem Demaçi, e cila do të vendoset  te rrethrrotullimi i spitalit në Prishtinë, përcjellë Indeksonline.

Por, kritiku i artit Ilir Muharremi, përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij Facebook ka treguar se cilat janë kriteret që duhet plotësuar për shtatoren e e Demaçit, teksa ka shkruar se “hapësira për shtatoren duhet të jetë afër objekteve shtetërore e kulturore, prandaj nuk po e kuptoj pse duhet të jetë rrethrrotullimi i spitalit”?

 Këto duhet të jenë kriteret për punimin e shtatores së Adem Demaçit:

Shtatoret, të cilat vendosen në hapësira publike, duhet të jenë shumë të kujdesshme, veçanërisht nëse i krijojmë fytyrat e njohura historike, politike ose figurat që kanë dhënë kontribut të madh për shoqërinë dhe vendin.

Arsyeja është se gjeneratat e reja dhe të ardhme duhet ta kenë imazhin e saktë të figurës, të mos krijojnë konfuzion ose hamendje për një figurë të njohur. Vetë fjala shtatore, nga latinishtja, ka kuptimin e rikujtimit dhe ky rikujtim duhet të jetë shumë i kthjellët. 


Kriter tjetër është ngjashmëria fizike (origjinaliteti) me personazhin; psikologjia e personazhit të jetë pothuajse identike me figurën. 


Pjesa tjetër janë proporcionet, vijat dhe krijimi i mendimit të përplasjeve të hijeve në hapësirë.


Kriter tjetër është hapësira ose bashkëpunimi me arkitektin, ngaqë shumë shtatore duken të shëmtuara shkaku i hapësirës.


Kriteri përfundimtar është ana kompozicionale.

Ndryshe, tashmë në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik është hapur tenderi dhe janë cekur edhe kushtet e pjesëmarrjes për konkursin e projektit me titull “Ndërtimi i shtatores së Adem Demaçit” .

E afati i fundit për pranimin e projekteve është data 17 korrik 2019.