10:45 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kur pritet të ndodhë heqja e Kosovës nga Kushtetuta serbe?

Serbia e ka kusht të patjetërsueshëm heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e saj, nëse do që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Këtë gjë, Serbia pritet ta bëjë nga marsi i vitit 2018 kur edhe do të prezantojë raportin lidhur me Kosovën para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë shteti serb ka muaj që ka nisur dialogun e brendshëm për të diskutuar këtë çështje dhe pritet që ata ta pranojnë shtetësinë e Kosovës duke e larguar nga Kushtetuta, por duke prezantuar kushte.

Njohësi i çështjeve juridike, Azem Vllasi ka thënë për “Indeksonline” se në mënyrë që të largohet Kosova nga Kushtetua serbe, presidenti Aleksandar Vuçiq do e paraqesë një Rezolutë në Kuvendin serb, në bazë të të cilit përfshihen kompetenca të këtij shteti mbi serbët dhe komunat serbe në Kosovë.

Sipas tij, Serbia do të tentojë që këtë marrëveshje ta bëjë me Kosovën në Bruksel. Vllasi ka deklaruar se nëse një gjë e tillë lejohet nga shteti i Kosovës, nuk do të ketë kurrfarë zgjidhje mes raporteve serbo-kosovare.

“Nga deklarimet e serbëve nënkupton që formulimin që e ka në Kushtetutë ta zëvëndësoje me një Rezolutë në Kuvendin e Serbisë ku përmes Brukselit do të konsiderohet që edhe Kosova të dakordohet me një qasje të tille, e kjo qasje do të jetë që Serbia t`i ketë disa kompetenca ndaj Kosovës lidhur me pakicën serbe dhe me komunat me shumicë serbe, lidhur me monumentet religjioze dhe statusin e Kishës Ortodokse. Pala kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe mos të pranojë një gjë të tillë, kinse po heqet Kosova nga Kushtetuta serbe në mënyrë që të forcohet një pozicion i Serbisë lidhur me Kosovën përmes një Rezolute të Kuvendit. Nëse kjo gjë dakordohet në Bruksel, për ne nuk është zgjidhje”, ka thënë ai.

Vllasi është shprehur se zgjidhja e vetme për Kosovën do të ishte mos bërja e kompromisit për asnjë kusht me Serbinë lidhur me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e tyre.

“Zgjidhje është vetëm heqja e Ksoovës nga Kushtetuta e Serbisë pa kurrfarë kushti, zëvendësimi me diçka tjëtër apo me ndonjë marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që nënkupton që Serbia të ketë çfarëdolloj përzierje në punët e brendshme të Kosovës. Kompromisi i fundit që e kemi bë për shtetësinë e Kosovës është plani i Ahtisaar-it. Kosova duhet t`i përmbahet këtij plani dhe sipas tij komuniteti serb ka përfituar më shumë se çdo pakicë kombëtare në shtetet tjera dhe këtu duhet të përmbyllet kjo”, ka deklaruar Vllasi.

Se Serbia do të tentojë të bëjë ndonjë hap ndryshe rreth heqjes së Kosovës nga Kushtetuta, e thotë edhe njohësi politik, Fatmir Sheholli.

Ai është shprehur se dialogu Kosovë-Serbi do të përfundojë vitin tjetër dhe me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta serbe do të nënkuptonte njohjen de jure të shtetësisë së Kosovës nga pala serbe.

“Definitivisht, institucionet dhe veçanërisht Qeveria e Kosovës është që këtij dialogu t`i vie fundi, por edhe Serbia për shkak të kapitullit 35, e ka për obligim ta përfundojë dialogun me Kosovën, dhe pres që dialogu Kosovë-Serbi tash ni vjet të jetë i mbyllur me atë që quhet pakt paqësor i cili do të thotë se në të ardhmen mos të kemi më dialog të kësaj natyre. Natyrisht që heqja nga preampula e fjalisë Kosovë në Kushtetutën e Serbisë, do të mundohen që ta prezantojnë në njëfarë forme tjetër, por tash edhe de jure, Serbia do ta bëjë pranimin e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai për ”Indeksonline”.

Sheholli ka kujtuar një deklaratë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili është shprehur se do të prezantojë një raport që do të jetë i dhimbshëm për serbët. Kjo sipas Shehollit, nënkupton që veprimi i “dhimbshëm” i Serbisë ka të bëjë me largimin e fjalisë së Kosovës nga Kushtetuta, gjë të cilën shteti serb duhet ta përfundojë nëse do që të përmbyllet kapitulli 35 që i hap dyert për anëtarësim në BE.