09:24 / E Premte, 26 Prill 2024 / S Z

Kurti në Berlin: NATO-ja dhe KiE shtylla të paqes demokratike në Evropë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës (KiE).

Bëhet e ditur se në fjalën e tij, kryeministri Kurti rikujtoi se 75 vjet më parë, në prill të vitit 1949, u krijuan dy institucione që kanë transformuar historinë evropiane: NATO dhe Këshilli i Evropës, të cilat i cilësoi si shtyllat e paqes demokratike në Evropë.

“Ai përmendi përjetimet e qytetarëve tanë në luftën për çlirim dhe pavarësi, e për të cilët lidhja me këto institucione perëndimore e demokratike ishte dhe që atëherë mbështetje për t’i ikur tmerreve të kohës”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.

Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

“75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Në vijim, ai elaboroi rreth përkushtimit të vendit tonë për vlerat e parimet demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e vëmendjen ndaj nevojave të komuniteteve joshumicë.

“Ai tha se në këto tri vjet qeverisje, kemi dëshmuar se zhvillimin socio-ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë krah për krah. Kryeministri bëri thirrje miqve tanë gjermanë që ta mbështesin vendin tonë edhe në këtë hap të fundit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës, si vendi i 47-të anëtar”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti falënderoi Bundestagun dhe SPD për mikpritjen, interesin, mbështetjen dhe rolin kyç demokratizimin e Evropës dhe për ndihmën e vazhdueshme.