15:42 / E Premte, 10 Mars 2023 / S Z

Mjeku në shtëpi, projekti për ndihmë nënave e lehonave edhe në kryeqytet

Nga janari deri më tani janë realizuar rreth 70 vizita nëpër shtëpia si pjesë e programit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç”. Ky program ofron shërbime shëndetësore dhe këshilluese për shtatzëna, lehona dhe fëmijët e porsalindur. Në një prononcim për Radio Kosovën nga Drejtoria për Shëndetësi e Komunës së Prishtinës bëjnë me dije se ky projekt ka filluar të zbatohet edhe në kryeqytet.

Programi i vizitave në shtëpi për nëna dhe fëmijë, ofron shërbime shëndetësore dhe këshilluese për shtatzëna, lehona, të porsalindur (prej ditës së tretë pas lindjes) dhe fëmijë deri në moshën tri vjeçare. Implementimi i këtij programi duket që po shkon mbarë edhe në Komunën e Prishtinës, kështu ka thënë për Radio Kosovën drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

Ai tha se ekipet shëndetësore do t’iu ndihmojnë grave shtatzëna dhe nënave në këshilla për mënyrën e të ushqyerit, për vaksinim, këshilla për një mjedis sa më të mirë, vlerësimi psikofizik i nënës për post-traumat pas lindjes, këshilla për përgatitje për gjidhënie, përgatitja për lindje e shumë të tjera.

“Programi “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç”  është projekt i cili ka filluar të implemetohet sivjet edhe në Komunën e Prishtinës, dhe deri me tani kemi realizuar rreth 70 vizita. Qëllimi kryesor i këtyre vizitave është që të identifikohen problemet që mund të paraqitën gjatë procesit të shtatzënisë dhe gjatë procesit të lindjes si dhe pas shtatzënisë. Vizita e parë bëhet pas ditës së tretë të lindjes, ku i ndihmohet gruas me këshilla për përkujdesjen e bebes dhe gjidhënien”, deklaroi ai.

Afërdita Krasniqi, koordinatore e projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0-3 vjeç” , tha për Radio Kosovën se zbatimi i këtij projekti është mirëpritur nga nënat.

Ajo sugjeron gratë shtatzëna dhe lehonat të cilat kanë nevojë për një kujdes shëndetësor në shtëpitë e tyre që mund t’i drejtohen Qëndresë së Mjekësisë Familjare, për të caktuar terminin e vizitës në shtëpi.   

“Për nënën shtatzënë janë dy vizita prej procesit të shtatzënisë ndërsa për fëmijën janë pesë vizita që mund të realizohen brenda tri vjetësh. Kemi shkuar në vizita që ka pasur edhe fëmijën e pestë në familje, por që këshillat kanë qenë shumë efikase sepse asnjë lindje s’është e njëjtë. Dhe ky program është mirëpritur shume mirë edhe nga nënat të cilat kanë lindur fëmijën e pestë”, deklaroi Krasniqi.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se gjatë vitit 2022, në 25 Komuna të Kosovës, janë realizuar 37 mijë e 335 vizita në shtëpi. Përmes këtij programi janë identifikuar shumë fëmijë të pa vaksinuar, me ngecje në zhvillim, identifikim i depresionit postpartal te lehonat si dhe rastet të cilat kanë pasur nevojë për referim dhe trajtim të mëtutjeshëm.