09:46 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / k.v

Mosmarrëveshja në trafik përfundon me krisma armësh, policia në kërkim të të dyshuarit

Pasditen e së martës, në Hajvali të Prishtinës, janë dëgjuar të shtëna armësh. Rasti ka ndodhur në rrugën Brigada 153 ku pas një mosmarrëveshje në komunikacion, një i dyshuar nga një veturë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës. Në vendin e ngjarjes njësia e hetimeve dhe krimteknikës kanë sekuestruar një gëzhojë, transmeton IndeksOnline.

“Rreth orës 17:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Brigada 153″ në Hajvali. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore. Nga veprimet e para policore dyshimet janë ngritur se shkrepja ka ardhur nga një veturë në lëvizje, ndërkaq deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i policisë rajonale të Prishtinës.

Borovci tha se policia po punon në mbledhjen e informacioneve rreth identitetit të të dyshuarve.

“Policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identitetit të të dyshuarve të përfshirë në rast, ndërkohë që po vijon dhe puna hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Borovci./IndeksOnline/