09:37 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

Musliu-Shoshi: Kryesia s’ka siguruar hapësirë pune për deputetët, zyra për deputetin s’është luks!

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi tha se duket e çuditshme dhe e pazakontë, por është fakt që deputetët nuk kanë zyrë për punë në objektin e Parlamentit të Kosovës.

Musliu-Shoshi shtoi se kjo e bënë shumë të vështirë ushtrimin e rolit si përfaqësues dhe llogaridhënës përballë qytetarëve.

Deputetja deklaroi se ka më shumë se dy muaj që kur Kryesia e Kuvendit nuk ka siguruar zyrë për të dhe për deputetët e tjerë që të kenë një hapësirë për punë dhe ku do të mund të takohen me qytetarët e t’i dëgjojnë hallet e tyre, transmeton Indeksonline.

Musliu-Shoshi, tha se zyra për për deputetin nuk është luks, është e kundërta.

Postimi i plotë:

Sot fillojmë me seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Duket e çuditshme dhe e pazakontë, por është fakt që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë zyrë për punë në objektin e Parlamentit të Kosovës. Kjo e bën shumë të vështirë ushtrimin e rolit si përfaqësues dhe llogaridhënës përballë qytetarëve.

Ka më shumë se dy muaj që kur Kryesia e Kuvendit nuk ka siguruar zyrë për mua, por edhe për deputetët e tjerë që të kemi një hapësirë për punë dhe ku do të takohemi me qytetarë e t’i dëgjojmë hallet e tyre.

Kushtetuta e Kosovës, Rregullorja e Kuvendit dhe Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit e obligojnë Kryesinë…, që të sigurojë kushte për ushtrimin e veprimtarisë sonë si deputetë.

Zyra për deputetin nuk është luks. Është e kundërta. Luks është mungesa e zyrës dhe pamundësia për t’i takuar qytetarët që të kanë votuar. Është sjellje e papërgjegjshme portretizimi i deputetit vetëm si pozicion politik që një herë në javë shtynë përpara interesa personale e partiake. Pozita e deputetit është edhe vend pune.

Megjithatë, pavarësisht refuzimit të Kryesisë së Kuvendit për të siguruar hapësirë veprimi, unë që nga java e ardhshme, çdo të martë nga ora ‪10:00-15:00, në hapësirat e Kuvendit…, unë do të pres në takim qytetarë për kërkesa dhe ankesa që unë do të mund t’i adresojë si deputete.