19:35 / E Martë, 21 Janar 2020 / indeksADMonline

Nazmi Lukaj fondament i trashëgimisë së mendimit dhe informimit

G.Tërshnjaku

Jetëshkurtër, por me trashëgimi të vyer intelektuale, e të mendimit kulturologjik shqiptar. Ky ishte Nazmi Lukaj (02/02/1967) , i cili vdiq 9 vite më parë (24/01/2011) nga një sëmundje e rëndë. Një përfaqësues i njohur i gjeneratës së publicistëve të dy dekadave së fundit. Nazmi Lukaj i takonte përvojës së gjeneratës së gazetarisë së viteve 90-ta dhe asaj të pas luftës së fundit në Kosovë. Në kohën më të vështirë, gjatë luftës së 1999 i kishte shërbyer misionit për të zbuluar të vërtetën, duke shkruar e publikuar shkrime për luftën e Kosovës në gazetat e Tiranës.


Shkrimin e kishte pasion dhe e bënte me përkushtim. Në të pasqyronte mendime, informata, artikulime, rrëfime të kujtesës shqiptare. Kishte talentin prej profesionisti. Formësonte zhanre të gazetarisë. Hollësisht shtjellonte analiza, me një logjikë realiste, me një qasje refleksionuese. Vlerësonte figurat kombëtare, shkrimtarët, mendimtarët, gazetarët shqiptar. Shpesh komentonte analizat për Kosovën të analistëve ndërkombëtarë, sikurse të Janosz Buganjskit, James Hooper, Tim Judah, Daniel Server, John Hopkins. Këta për Nazmiun ishin analistë që kishin informata të sakta ngase komunikonin me kancelari e kanale të huaja diplomatike. Shprehte dhe kishte vizion për të nesërmen shqiptare. Ishte me aftësi peshuese të figurave dhe të asaj që vlen çmohet. Nazmiu me gazetari dhe publicistikë është marrë aktivisht që nga 1996, ndërsa, para atij viti, herëpashere, ka botuar në “Bota e re”, “Republika”, në “Gazetën e Re Shqiptare”, në “Dodona”, “Viktoria”, “Dielli”, “Gurra” etj.


Nazmi Lukaj kishte ambicie dhe punën si qëllim. Kontributi tij kombëtar kapërcen kohët dhe qeveritë. Zë fill që kur ishte student, vazhdoi në epokën e viteve të 90-ta, e deri të dhjetëvjetëshi i fundit. Në rezistencën e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, ishte protagonist i shumë aktiviteteve qytetare e kombëtare, veçanërisht në Pejë, në Prishtinë e gjetiu. Në asnjë situatë nuk i mungonte veprimi. Përjetoi transformime sistemesh e regjimesh politike. Edhe në kohë të vështira, kishte virtyt prej profesionisti e analisti duke publikuar qindra analiza, komente e artikuj gazetash dhe disa libra. Në periudhën e pas çlirimit të Kosovës (1999) atëbotë kur shumëkush mbante gojën mbyllur, Nazmiu fliste. Kërkonte emancipimin e shoqërisë sonë. Publikonte artikuj në gazeta në Kosovë, Diasporë, Shqipëri. Më 2005 ishte themelues dhe administrator i gazetës “Pavarësia” në Kosovë, për të cilën goxha një audiencë e madhe shprehte simpatinë, ngase gazeta pasqyronte konceptin pro perëndimor dhe pro shtetit të Kosovës.
Veç gazetarisë, prej vitit 1991-2004 kishte punuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe në gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës, dhe së fundi zëvendësdrejtor në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë. Publicisti Nazmi Lukaj ka publikuar katër libra. Më 1999, në Tiranë, ka botuar librin “Kosova dhimbja dhe shpresa ime” (publicistikë dhe reportazhe), më 2002 “Ese, komente dhe analiza” (Pejë), kurse më 2007 po në Pejë, botoi librin e tretë publicistikë “A është Kosova një rast unikat?”. “Përtej statusit të Kosovës” është libri i katërt publicistik i tij.


Dëshira dhe amaneti i Nazmiut ishte që fëmijët të ndjekin shkollimin dhe të mësojnë. Kështu, të mbështetur nga e shoqja Hajrija, fëmijët e Nazmiut vazhdojnë shkollimin me suksese të shkëlqyeshme, sikurse vajza Ariana – doktorante në Universitetin e Prishtinës. Djali Arianiti student në Universitetin e Pejës. Po ashtu vajzat Anita e Afërdita vijojnë shkollimin me sukses. Prindërit e Nazmiut, bacë Kameri me këmbët e paralizuara dhe nëna Shyte vazhdojnë stoikisht duke mbështetur trashëgimtarët e Nazmiut. Njashtu dhe vëllezërit Jetoni e Orhani dhe motra Shpresa.
Nazmi Lukaj nuk ishte përjashtues, por shumë afrues. Ditën dhe natën dërgonte mesazhe në celular. Me Nazmiun, unë dhe Ruzhdi Shehu nga Juniku ishim miqësuar shumë.


Së bashku ishim nisur dhjetëra herë në rrugën malore nëpër veriun e Shqipërisë drejt Tiranës. Nazmiu atje kishte dëshirë të vizitonte universitete e redaksi gazetash, dhe të takonte profesorë e akademikë. Në 2009, me ndërtimin e Rrugës së Kombit, Morinë- Durrës, udhëtimi për ne ishte bërë i lehtë. Shpeshherë, thuajse çdo javë ja mbathnim nga Prishtina drejt Tiranës. Atje takonim miqtë tanë: Mujë Buçpapajn, Flamur Buçpapajn, Aleksandër Çipen, Qemal Sakajeven, së fundi Fridel Kuçin pronar i kompanisë “EIDA”, etj. Jo rrallë takonim: Lutfi Dervishin, Mero Bazen, Rexhep Shahun, Halil Ramën, Ilir Nikollën, Nebil Çiken, Enver Bytyqin, Klevest Bitron, e shumë të tjerë. Kishim takuar dhe ish kryeministrin dr. Sali Berisha, të ndjerin Sabri Godon, të ndjerin Sokol Olldashin (ish ministër), shkrimtaren Adelina Mamaqin, Preç Zogajn, Ramazan Bogdanin (akademik), Mark Tirten (akademik), Hamit Boriqin (akademik), etj.
Në Prishtinë së bashku me Nazmiun takonim shpesh, veçanërisht ligjëruesit universitar: Fadil Malokun, Milazim Krasniqin, Nysret Krasniqin Anton Berishën, Agim Zogajn, Isa Bajçincën, Besim Abazin, Mark Krasniqin (akademik), Armend Zemajn (deputet), Adem Hajdarajn (ish deputet), Osman Ismajlin (ligjerues), Shkëlzen Raqen, Smajl Smaken, Syhejl Havollin, Daut Bislimin, Demë Fetajn, Demë Ibërdemajn, Hysen Lajçin, e shumë të tjerë. Në Pejë së bashku me Nazmiun takonim shpesh Skënder Mulliqin (publicist), Sali Beqirajn (profesor), Ilir Kelmendin, Tahir Cukajn, Tahir Dacin, Nezir Gashin, e shumë intelektualë, profesorë, e veprimtarë pejan, e kolegë të Nazmiut. Shkrimin e fundit që publikoi Nazmiu ishte “Diku, Kosova dhe Hashimi”, në javoren “Nacional” të 16 janarit 2011, që ishte një refleksion se si shqiptarët t’u përballonin akuzave ndërkombëtare për krime lufte në Kosovë. Mesazhin e fundit në celular e pranova të enjten (20 janar 2011) ku më njoftoi se ma kishte blerë një libër për gazetarinë e televizionit, për të ma dhuruar, dhe më porositi që të premten ta prisja në Prishtinë, sepse ai nga Tirana do udhëtonte në Prishtinë, në tubimin përkujtimor që do të mbahej për presidentin Rugova. Pas shkuarjes në amshim, qytetarë nga e tërë Kosova kishin marrë pjesë në homazhet për Nazmiun. Vite më parë, qindra qytetarë, zyrtarë shtetërorë, deputetë të parlamentit të Kosovës, politikanë profesorë, intelektualë, ish ushtarakë të UÇK-së, gazetarë, kishin marrë pjesë në akademinë përkujtimore, kushtuar publicistit dhe analistit, Nazmi Lukaj. Akademia ishte mbajtur në Pejë, në teatrin “Istref Begolli”, nën patronatin e Kryetarit të qytetit të Pejës dhe përkrahur nga Shoqata e Gazetarëve të Pejës. Ndër të pranishmit ishin zyrtarë të lartë nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, nga komuna e Pejës, parlamenti i Kosovës, përfaqësues nga Universiteti i Pejës, përfaqësues nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë, etj.