12:00 / E Hënë, 13 Shkurt 2023 / S Z

Në Kirurgjinë Abdominale u kërkohet pacientëve t’i blejnë vet pajisjet nëse duan të kryejnë punë

Pacientët të cilët duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike në Kirurgjinë Abdominale, së pari duhet të kujdesen që t’i sigurojnë pajisjet e nevojshme, të cilat duhen për operim. E gjithë kjo pasi që klinikës i mungojnë pajisjet të cilat i duhen për kryerjen e ndërhyrjeve të tilla laporaskopike.

E mjekët detyrohen që t’i kërkojnë pacientëve që të merren dhe me këtë punë, e cila do të duhej të ishte punë e Klinikës. Pasi që klinikat nuk kanë barna e as pajiset e nevojshme për funksionim, barra ka kaluar tek pacientët, të cilët detyrohen t’i sigurojnë vet dhe pajisjet për ndërhyrje kirurgjike.

Pacientët të cilët përballen me një gjendje të rënduar ekonomike e të cilët ia mësyjnë QKUK-së, duhet që të vrapojnë nga një barnatore tek tjera, e nga një depo tek tjetra, për t’i siguruar materialet e nevojshme për klinikën, si në rastin në fjalë për kirurgjinë Abdominale. Në të kundërtën nuk mund t’i kryejnë ndërhyrjet e nevojshme .

Një pacient i cili po pret që një familjar i tij të ketë një ndërhyrje me Laporaskopi në Kirurgjinë Abdominale, ka thënë për “IndeksOnline” se i është dashur t’i blej së pari pajisjet të cilat i mungojnë klinikës dhe se tash po pret në radhë për ndërhyrje Laporaskopike. Pacienti i cili deshi të mbetet anonim, pasi që familjari i tij do t’i nënshtrohet një ndërhyrje në këtë klinikë, tha se mjeku u ka thënë se duhet t’i blejnë pajisjet, pasi që klinika nuk i ka.

“Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale (Laporaskopi) të gjithë pacientët që thirren për operim, iu kërkohet t’i blejnë produktet që u duhen gjatë intervenimit, pasi që klinika nuk i ka. Unë e kam një familjar timin i cili po pret për operim dhe se pajisjet më është dashur vet me i ble.  Unë i kam ble dhe se çmimi i tyre në barnatore dhe depo është për një Trockar 11&12 ml prej 70 deri në 100 euro dhe se këto gjinden vetëm në dy depo që kanë pajisje medicinale. Ndërsa një klip i gjelbërt dhe i verdhë 20 deri në 22 euro këto gjinden në barnatore si dhe fllastera, gaza. Të gjithë pacientëve mjeku që i kontrollon iu  thotë se duheni me i ble këto se s’ka”, tha ai.

Megjithëse i është dashur që vet t’i siguroj pajisjet, ai nuk e vë fajin tek mjeku, por tek institucionet tjera si drejtoria e SHSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë,  të cilat duhet t’i sigurojnë barnat dhe pajisjet e nevojshme, për klinikat e QKUK-së.  

“Kjo nuk është në rregull, por mjeku nuk ka faj sepse është i detyruar. Nëse don me kry punën duhet me i ble. Ai nuk ka faj. Nëse nuk  i blen operacioni nuk mund të kryhet, sepse nuk i kanë pajisjet”, tha ai.

I kontaktuar nga “IndeksOnline”,  drejtori i Kirurgjisë Abdominale Enver Fekaj nuk preferoi të flas për të gjitha këto që po ndodhin në klinikën që ai udhëheq.

“Nuk mund të flas tani. I dërgon pyetjet ne e-mail e iu përgjigjem nëse kam kohë”, tha ai./IndeksOnline/.