10:14 / E Mërkurë, 01 Prill 2020 / indeksADMonline

Ne po i lajmë duart, ata po na e lajnë trurin

Shkruan: Ëndronida Shala

Rikuperimi i mendimeve solli pasoja të parikuperueshme. Të edukohesh se për çfarë të mendosh dhe jo si të mendosh është e njëjtë si të shkrijmë qenien tonë në një kod programimi dhe t’i lëmë të tjerët të kontrollojnë mendimet tona. Lufta kundër COVID-19 tashmë e shpallur si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk nxorri në pah anën më të errët vetëm të njerëzimit por edhe atë të mediave.

Në periudhën e vetë-izolimit  në shtëpi, ekspozimi ndaj informacionit është bërë edhe më dinamik. Rritja e çmimeve në kohën e pandemisë, preku xhepin e qytetarëve ashtu si rritja e lajmeve të rreme që preku mendjen e tyre, askush nuk na kurseu. Lufta për klikime e shikueshmëri ngjason me lufën nëpër markete për letra toaleti, miell dhe vaj, të shkaktuar nga vetë mediat. Siç thonë disa studiues, televizioni po u shpërlanë trurin të gjithve ndërsa Interneti po e mbyt çdo rezestencë të fundit.  Për këtë arsye OBSH-ja ka filluar të përdorë termin “Infodemi”, si pasojë e manipulimeve me informacionet rreth coronavirusit.

Duke filluar nga këshillat se si të mbajmë higjienën personale, pasaj te recetat ushqimore për “shërimin” e virusit corona e deri te mitet se virusi është një armë biolgjike e krijuar në laborator, apo bindjet se kjo është vetëm një luftë për përfitime ekonomike ndërmjet Kinës dhe Amerikës, kur në të vërtetë e ka përfshirë gjithë globin, ndikoi që njerëzit t’i përdorin mediat si libër udhëzimesh ditore, ndonëse informacionet e plasuara ishin edhe të pa konfirmuara. Google ka publikuar të dhënat analitike të “Google search”, prej të cilës del se njerzit kanë kërkuar informacione  me fjalën “coronavirus” në Google, mbi 20 milionë herë brenda një dite, pra e ka tejkaluar për më shumë se tre fish fjalën “Trump”, që kërkohet 4 milion herë brenda ditës.

Të mbyllur në shtëpi si asnjëherë më parë, por në kontakt me botën më shumë se kurrë, mediat e reja po gjejnë përdorim të gjerë dhe ndikim të mjaftueshëm sa për të krijuar panik te qytetarët.  Në këto lloj situata të krizave mediat duhet të luajnë rol në ndërtimin e paqes e jo në krijimin e panikut. Të publikosh lajme si “Mitrovica ka miell mjaftueshëm”, me qëllim që të qetësohen banorët e Mitrovicës, krijon logjikë reverse te audienca e qyteteve tjera, që duhet të shkosh në Mitrovicë të blesh miell.

Në këtë kohe pandemie e infodemie, higjiena mediale është po aq rëndësishme sa higjiena personale. Studiuesi i mediave, Peter Adams, propozon t’i shpenzojmë 20 sekonda në verifikimin e informacioneve që i lexojmë ashtu si i shpenzojmë 20 sekonda në larjen e duarve. Mundësitë për manipulime janë të mëdha prandaj edhe vetëdija shoqërore duhet të jetë e lartë.