16:14 / E Shtunë, 27 Mars 2021 / OSH

Nga lufta në Kosovë te kampi i refugjatëve në Gjermani, historia prekëse e mjekes kosovare

Jeton prej 19 vitesh në Zvicër, por flet me krenari për origjinën e saj nga Kosova. Mjekja Besa Zenelaj, e cila tashmë ka hapur klinikën e saj në Gjenevë dhe në sallën e pritjes mban diplomën e parë të mjekësisë nga Kosova.

“Unë nuk kam për ta hequr kurrë prej andej. Jam krenare që jam zvicerane, jam krenare për origjinën time”, shprehet mjekja Zenelaj, në një rrëfim tejet emocionues që nga nisja e luftës në Kosovë, vuajtjet në kampin e refugjatëve në Gjermani dhe deri te integrimi i plotë në shoqërinë zvicerane.

Gjatë një interviste, Zenelaj tregon vështirësitë me të cilat iu desh të përballej pas mbërritjes në Zvicër në vitin 2003, si studente në vitin e katërt për mjekësi.

Historia e saj fillon në Kosovë, në vitet e komunizmit. E lindur në vitin 1976, në një familje modeste, ku arsimimi ishte një përparësi, Besa rrëfen një moment prekës kur u vendos që të ndalohej gjuha shqipe dhe për të përfunduar studimet duhej të ndryshoje emrin dhe mbiemrin dhe të firmosje sikur ishe serb për të vazhduar shkollimin në serbisht, raporton ATSh.

“Kur ndodhi shtypja totale e Kosovës nga Milosheviçi, u vendos që të ndalohej shkolla në gjuhën shqipe. Historia e zakonshme e çdo fëmije dhe adoleshenti u shndërrua në një histori krejt tjetër, shumë më e trishtuar dhe me më shumë sakrifica. Në vitin e dytë të gjimnazit, kur së bashku me nxënësit e tjerë u mblodhëm para shkollës, ajo ishte e rrethuar nga policia. Për të hyrë në shkollë duhej të ndryshoje emrin dhe mbiemrin dhe të firmosje sikur ishe serb dhe ta vazhdoje shkollimin në serbisht. Padyshim, nuk e bëmë. Situata degjeneroi në dhunë. Pati shumë protesta. Së fundmi, mbetëm në shtëpi, pa shkollë”, tregon mjekja Zenelaj.

Më pas, rrëfen Besa, qeveria paralele, me Presidentin tonë Ibrahim Rugova, nisëm shkollat paralele, ilegale.

“Unë nisa vitin e dytë në Shkencat e Natyrës, nëpër dhoma shtëpish private, mjaft modeste, në një fshat aty pranë. Shkonim në mënyrë ilegale në shkollë, sikur të ishim kriminelë. Me vetëm një fletore të vogël në xhep, të fshehur mirë. Vinte të na mësonte profesoresha jonë. Ajo punonte pa rrogë. Aty ku mësova biologjinë, kiminë, matematikën e lëndë të tjera. Përfundova gjimnazin dhe më pas nisa studimet në Fakultetin e Mjekësisë”, tregon ajo.

Duke rrëfyer momentet e para të nisjes së luftës në Kosovë, Zenelaj tregon se si së bashku me banorët e kryeqytetit, kishte përfunduar në stacionin e trenit të Prishtinës, të shoqëruar nga policia, drejt një kampi refugjatësh në kufirin maqedonas.

“Kjo ndodhi në vitin 1998. Nëse do të përpiqesha të flisja për atë udhëtim me tren, nuk mendoj se do t’ia dilja mbanë. Sepse është diçka, që edhe sot e kësaj dite, ka çaste që sikur truri im refuzon të mendojë e reflektojë për atë, sikur fjalët më bllokohen. Në atë kamp, pashë profesorët e mi, miqtë e mi, të gjithë ne ishim si kafshë, të parespektuar. Atje kalova dy javë kështu, në Bllacë. Sot është një fushë e gjelbër, e mrekullueshme. E pashë para katër vitesh. Sigurisht, më kujtohen imazhet e kohës së tendave të improvizuara, të urisë. Më pas, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufijtë, përndryshe mund bombardohej edhe Shkupi”, deklaron ajo.

Më tej, Zenelaj tregon edhe për udhëtimin e parë me grupin e refugjatëve drejt Gjermanisë, një tjetër kalvar vuajtjesh dhe vështirësish më të cilat iu desh të përballej pasi kishte ndryshuar edhe mbiemrin në Besa Kastrati.

“Me vete, unë kisha foto të familjes sime, librin e nxënësit dhe kartën e identitetit. Por, kur mbërritëm në aeroport, nuk kishim më as emër e as mbiemër, vetëm një numër. Më vunë një vulë, si të gjithë të tjerëve. Nuk kishte më një identitet, gjë prej gjëje”, shprehet Zenelaj duke theksuar se “emërtimin “refugjat lufte” nuk e duroja më dot”, shprehet ajo.

Numri në dorën dhe imazhet e fundit të Kosovës duke u djegur, të qarat e të zhvendosurve dhe refugjatëve nëpër kampe, ishin momentet që Besa nuk i heq dot nga mëndja.