18:29 / E Enjte, 24 Nëntor 2022 / Gj. Sh

“Nuk dal dot nga dhoma”, Ronaldo Fenomeni humbet sfidën Brazil-Serbi

Brazili luan sonte ndeshjen e parë në Katar 2022. Pesë herë fituesit e Kupës së Botës, do të sfidojnë Serbinë në “Lusail Iconic Stadium”, duel i vlefshëm për grupin G, aty ku Zvicra mori tri pikët e para pas suksesit 1-0 ndaj Kamerunit.

Në shkallët e stadiumit do të mungojë legjenda Ronaldo. Fenomeni është infektuar me koronavirus dhe është izoluar menjëherë në dhomën personale në një nga hotelet e Dohas, duke humbur mundësinë të shohë live në stadium Brazilin e tij.

46-vjeçari deklaroi se iu nënshtrua tamponit pas disa simptomave, teksa bëri të ditur se do i kalojë i izoluar në dhomë pesë ditët e ardhshme, me shpresën për t’u rikthyer sa më shpejt negativ. Dy herë fituesi i Kupës së Botës (1994, 2002) ndodhet në Katar si mysafir special i FIFA-s.