12:59 / E Premte, 11 Qershor 2021 / OSH

Nuk ndalen tejkalimet në vijë të plotë në rrugët e Kosovës, qytetarët sërish nuk respektojnë rregullat

Ditëve të fundit raportimet për shkelje të rregullave në trafik nga ana e kosovarëve kanë qenë në baza ditore.

Qoftë rrugë magjistrale, rajonale, por edhe autostrada, janë ato të cilat janë bërë vende “të përshtatshme” që shoferët kosovarë të tregojnë “aftësitë” e tyre të vozitjes, duke mos respektuar asnjë rregull të komunikacionit.

Në pamjet që vazhdimisht po dërgojnë qytetarët, shihen shoferët duke tejkaluar në vijë të plotë, aty ku ky veprim është tërësisht i ndaluar e në kundërshtim me rregullat e komunikacionit.

IndeksOnline sërish ju sjell pamje nga lokacione të ndryshme të Kosovës, si nga Ferizaj, Prishtina e Podujeva.

Në anën tjetër Policia e Kosovës, pas këtyre raportimeve që po i bën IndeksOnline po reagon menjëherë, ku dy nga vozitësit janë gjobitur me 150 euro dhe me 3 muaj marrje të patentë shoferit dhe heqjen e dy pikëve.