12:00 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / L K

OKB-ja bën thirrje për hetime për varrezat masive në Gaza

OKB-ja ka bërë thirrje për një “hetim të pavarur, efektiv dhe transparent” për zbulimin e varreve masive në dy komplekset spitalore të Gazës, pasi ato u rrethuan dhe u sulmuan nga trupat izraelite në fillim të këtij viti.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk tha se ishte “i tmerruar” nga skenat e raportuara në komplekset Nasser dhe Al-Shifa, shkruan CNN.

“Duke pasur parasysh klimën mbizotëruese të mosndëshkimit, kjo duhet të përfshijë hetuesit ndërkombëtarë,” tha Turk të martën.

“Spitalet kanë të drejtë për mbrojtje shumë të veçantë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Dhe vrasja e qëllimshme e civilëve, të burgosurve dhe të tjerëve që janë hors de combat është një krim lufte.”
Një varr masiv me 324 trupa u zbulua këtë javë në Kompleksin Mjekësor Nasser në qytetin jugor të Gazës Khan Younis nga punonjësit e Mbrojtjes Civile të Gazës pas tërheqjes së forcave izraelite nga zona.

Më herët në prill, punonjësit e shëndetësisë zhvarrosën kufomat nga varret masive në Al-Shifa pasi thanë se forcat izraelite vranë qindra palestinezë dhe lanë trupat e tyre të dekompozoheshin gjatë rrethimit dy-javor të kompleksit në Gazën veriore.

Të paktën 381 trupa u gjetën nga Al-Shifa pasi forcat izraelite u tërhoqën më 1 prill, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.