15:39 / E Hënë, 20 Mars 2023 / S Z

Pacientët në gjendje të rënduar, presin me javë për Kolonoskopi

Pa marrë parasysh gjendjen e rënduar, në Klinikën e Gastroenterologjisë pacientët detyrohen të presin nga shtatë e tetë ditë, për të bërë Gastroskopi  apo Kolonoskopi. E gjithë kjo në mungesë të anesteziologut, i cili duhet të jetë prezent në klinikë.

E diagnostikimi i pacientëve vazhdon të zvarritet, pasi që Klinikat nuk i kanë kushtet e duhura, për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme, të cilat duhet për të ardhur deri tek diagnoza. Të paktën kështu thonë pacientët,  të cilët janë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare.

Ata vazhdojnë të presin me ditë e javë, për të kryer një ekzaminim i cili në kushte normale, do të duhej të kryhet brenda ditës.

Përderisa në të gjitha vendet evropiane, Gastroskopia dhe Kolonoskopia bëhet me anestezion, në Qendrën Klinike Universitare, këto procese bëhen dhe fare pa anestezion. E pacientët të cilët  preferojnë që këto trajtime, të cilat janë mjaftë të vështira, të bëhen vetëm me anestezion, duhet të presin me ditë të tëra, pasi që kjo klinikë nuk ka në dispozicion anesteziolog, për të ofruar këtë shërbim të domosdoshëm për pacientet.

Pacienti A. N kishte qëndruar tetë ditë në gjendje të keqe shëndetësore në Klinikën e Gastreontorologjisë. Ai tregon se gjithë këto ditë kishte qëndruar kot, pasi që nuk kishte pasur një diagnozë, në mungesë të Kolonoskopisë, për të cilën është dashur të pres tetë ditë, pasi nga stafi mjekësor i është thënë se nuk ka anesteziolog dhe se duhet të presë..

 “Kjo është skandaloze, në gjendjen në të cilën kam ardhur unë, e që sa ditë kam pritur për kolonoskopi, pasi që këtu ishte e caktuar vetëm një ditë, për ta bërë Kolonoskopinë dhe Gastroskopinë, sepse nuk kanë anesteziolog”, tha ai.

Madje tregon për gjendjen në këtë klinikë, për të cilën thotë se i mungonin shumë gjëra jo vetëm anesteziologu. Thotë se është vështirë të diagnostikohet pacienti në klinikat ku tetë ditë duhet të presësh për një fotografim, i cili në vende normale do të duhej të bëhej brenda ditës.

” Edhe infuzionin kur e kam marrë, kanillen ma kanë lidh me izolir, sepse nuk kanë as fllastera për kanillë. E familjarët e mi kanë dal i kanë ble flasterat, sepse më dhimbte krahu kur ma hiqnin izolirin. Në klinikat tona vazhdojnë të funksionojnë me mjete primitive, jo me pajisje adekuate si fllasteri në këtë rast”, thotë ai.

Por drejtoresha e Klinikës së Gastroenterologjisë Fitore Komoni, i ka mohuar ato që thonë pacientët. Sipas saj në këtë klinikë kryhen të gjitha procedurat me kohë dhe se pacientët nuk presin.

“Në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji të gjitha endoskopite urgjente,respektivisht për  rastet urgjente thërrasim Anesteziologët, të cilët përgjigjen në ҁdo kohë brenda 24 orëve,duke realizuar procedurat endoskopike te indikuara, varësisht nga gjendja shëndetësore e pacientit.  Për rastet që nuk janë në gjendje të rëndë endoskopitë, kryhen ҁdo ditë pune. Ndërsa anestezion kemi ҁdo javë të caktuar nga Klinika e Anesteziologjisë”, ka pohuar  Komoni për IndeksOnline.

Megjithëse për dallim nga vendet tjera, në QKUK sipas pacientëve endoskopitë kryesisht kryhen fare pa anestezion, Komoni thotë se edhe në QKUK këto procese kryhen njëjtë si në Evropë.

“Çdo rast endoskopik sikur te ne po ashtu edhe në Evropë nuk bëhet me anestezion të përgjithshëm, por me atë lokal të cilin e përdorim edhe tek ne, tek ҁdo pacientë”, ka pohuar ajo.

E e pyetur nga IndeksOnline se pse kësaj klinike i mungojnë dhe flasterat që duhen tu vihen pacientëve gjatë marrjes së infuzionit dhe në vend të tyre përdoret izolir, Komoni thotë se nuk ka mungesë të materialeve dhe se pacientët mund t’i blejnë,  vetëm nëse duan t’i kenë flasterat më kualitativ.

“Material shpenzues mjekësor kemi mjaftueshëm. Por pacientët kanë të drejtë të blejnë fllastera të kualiteteve tjera”, thotë ajo./IndeksOnline/