22:51 / E Diele, 14 Janar 2018 / indeksADMonline

Papunësia në Kosovë, më e lartë se sa e tregojnë statistikat

Të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës (ASK), deri në tre mujorin e tretë të vitit 2017 kanë treguar se shkalla e papunësisë në Kosovës është 30.2 për qind.

Anketa e cila ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit dhe  ku janë anketuar 3 mijë e 630 ekonomi familjare, tregon se papunësia më e theksuar është te femrat më 38.0 për qind krahasuar me meshkujt, 27.8 për qind, shkruan Indeksonline.

Ndërsa sa i përket grup moshave, papunësia më e theksuar është te grup moshat 15-24 vjeçare me 53.3 për qind.

Megjithatë, njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri mendon se këto shifra nuk janë reale.

Në një prononcim për Indeksonline, ai thotë se shifrat në teren tregojnë se papunësia është shumë më e madhe se sa raportohet, për vet faktin se Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk bën matje të shpeshta të kësaj dukurie.

Ai shton se madje ka të dhëna kontradiktore mes ASK-së dhe Administratës Tatimore dhe Trustit Pensional.

“Katë dhëna kontradiktore në mes Agjencia e Statistikave të Kosovës, Administratës Tatimore dhe Trustit Pensional, e në fakt është dashur që të ketë harmonizim të të dhënave, në mes të tri institucioneve. Kjo vërehet qartë me kërkesat për punë, sapo hapet një konkurs ke me mijëra që konkurrojnë, gjithashtu edhe panairet e punësimit janë përplot me njerëz që kërkojnë punë. Vetëm në një panair të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, kishin kërkuar punë më tepër se 1000 persona, pastaj në një konkurs për inspektor tatimor për 30 vende pune kishin konkurruar mbi 2000 veta”, ka deklauar Beqiri.

Më tej ai shtoi se ka shumë vite që statistikat rrinë në një vend, pa lëvizur fare.

“Kjo shifër duhet të jetë shumë më e lartë, gjithashtu edhe detyrimi i shtetit për të regjistruar punëtor me rastin e dhënieve të grandeve në bujqësi e ka ulë papunësinë, pastaj një efikasitet më i madh i inspektoratit të punës, i ka detyruar punëdhënësit t’i regjistrojnë punëtorët pa kontrata dhe ka pas një numër të madh të tyre që janë regjistruar, pra nuk ka  një matje të saktë të numrit të të papunëve, ka shumë vite që statistikat rrinë në një vend, pa lëvizur fare”, ka shtuar ai.

Se të dhënat e  ASK-së nuk janë reale, të sakta dhe të besueshme sipas tij janë edhe të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë. Sipas këtyre të dhënave në asistencë sociale janë 27 mijë familje me 270 mijë anëtarë ose 15.1% e popullsisë.

Se papunësia është një sfidë për Kosovën vit me radhë e ka deklaruar edhe vet ministri i ri i Punës dhe mirëqenies Sociale,  Skender Reçica që nga marrja e mandatit të tij.

Që nga marrja e mandatit si ministër i kësaj Ministrie, Reçica ka deklauar se ndër sfidat më të mëdha në bend është papunësia e lartë dhe në këtë pikë, ai ka shprehur garancën se trajtimi i këtij problemi, por edhe problemeve tjera që e karakterizojnë tregun e punës në vend, mbesin prioritet kryesor i ministrisë së tij.

Sipas ASK-së papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0 %, krahasuar me meshkujt, 27.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 53.3%.

Ndryshe, sipas rezultateve të dala nga publikimi i ASK-së, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 43.5%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2017 është 30.4%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt (48.1%), ndërsa punësimi te femrat është 12.5%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë, me 47.9% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë, me 47.0%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.9%; ndërtimtaria me 13.8%; prodhimi me 13.3%; dhe arsimi me 9.2%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.9% kanë kontratë të përkohshme./Indeksonline/