23:22 / E Diele, 17 Janar 2021 / Blerim

Pas shirave, ura e Drinit të Zi në Kukës nuk mbaron në 2021

Ura e madhe mbi lumin Drini i Zi në afërsi të Kukësit nuk do të përfundojë as në vitin 2021. Shirat e janarit, krahas përmirësimit të situatës hidrike në Shqipëri, kanë penguar punën për ndërtimin e urës së madhe në Liqenin e Fierzës, vepra më e madhe inxhinierike e Rrugës së Kombit, pas tunelit të Kalimashit.

Shirat e mëdha të muajit janar ku prurjet arritën deri në 3000 metër kub ujë në sekondë në Liqenin e Fierzës kanë rritur nivelin e këtij liqeni, duke përmbytur njëherësh edhe shpatullat ku do të vendoseshin këmbët e urës.

Thatësira e tejzgjatur e vjeshtës, por edhe e muajit dhjetor i kanë dhënë mundësi kompanisë koncesionare “Salillari” që të punonte për ndërtimin e shpatullave të urës, por edhe t’i përfundonte ato, për t’i dhënë mundësi në vijim për vazhdimin e montimit të urës. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe shpatullat e urës, gjysmë të përfunduara janë nën ujë.

Normalisht në pranverë, besoj nga fillimi i majit do të mbarojë edhe ura e re e Kukësit dhe të gjitha sistemimet e Rrugës së Kombit. Do të bëhet Rruga e Kombit një spektakël i vërtetë, me ndriçim nate se ishte si një shteg,” R11; u shpreh kryeministri Edi Rama më 1 nëntor të vitit që sapo lamë pas gjatë një vizite në Kukës.
Ndërkohë kryeministri deklaroi se opozita i ka lënë rrugët, duke përmendur projektin e Rrugës së Kombit dhe atë të aeroportit të Kukësit.

“Edhe ajo rrugë e cila u inaugurua për zgjedhje në vitin 2009 dhe u përurua me tamtame si të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën dhe jo thjesht hapje e tunelit, ndërkohë që as ajo nuk ishte përfunduar. U la rrugëve në një situatë që filloi të degradojë. U la në një situatë ku filluan të rrëshqisnin gurët. U kthye në burim aksidentesh. Çfarë po ndodh tani me rrugën e kombit. Është një ndryshim cilësor” – tha Rama.

Pavarësisht premtimeve të Ramës për një rrugë “spektakël i vërtetë” këtë pranverë, ky premtim është I pamundur të realizohet. Tashmë Liqeni i Fierzës njeh vetëm fryrje. Ndërkohë që në bazë të grafiteve shumëvjeçare, niveli i këtij liqeni pëson rënie duke filluar nga muaji gusht e në vijim . Ndërkohë që në nivelin ku ndodhen shpatullat e urës, tashmë të përmbytura mund të arrihet vetëm pas shtatorit, nëse vjeshta e këtij viti nuk regjistron shira. Një tjetër alternativë, sipas projektuesit të kësaj ure Faruk Kaba është ajo e punimeve nën ujore, por kjo është me një kosto të lartë për kompaninë ndërtuese.

Në periudhën e verës, sidomos në fundjava regjistrohen radhë e pritje të gjata në hyrje të urës dykalimëshe mbi liqenin e Fierzës në Kukës. Ura e Drinit të Zi në Kukës ka më shumë trafik për shkak të ngushtimit të rrugës nga dy në një kalim , por ndërkohë trafiku shoqëron gjithë rrugën.

Qeveria e Shqipërisë në fillim të vitit 2020 i ka dhënë ultimatum koncesionarit të Rrugës së Kombit, pikërisht kompanisë ndërtuese “Salillari&Kastrati ” (“Albanian Highëay Concesion”) që brenda një periudhe 18 mujore, të ketë përfunduar urën e re të Drinit të Zi në hyrje të qytetit të Kukësit. Në të kundërt do të aplikohen penalitete sipas kontratës. Projekti i kësaj ure ka filluar në muajin janar të vitit 2009 dhe ka përfunduar në gusht të atij viti ku bashkëprojektues kanë qenë kompania “Infratransproject” nga Shqipëria dhe kompania kroate IGH. Megjithëse projekti ka qenë i gatshëm prej 11 vjetësh, ky projekt, i dyti pas tunelit të Kalimashit, nuk është zbatuar për mungesë financimi. Kostoja e këtij projekti shkon në 14-15 milionë euro. Sipas projektuesit Faruk Kaba, projekti i urës mbi Liqenin e Fierzës që do të dublojë urën ekzistuese dhe aplikohet për herë të parë në Shqipëri.

Ura do të jetë e gjatë 280 metra dhe do të jetë vetëm me dy këmbë, ku hapësira në mes dy këmbëve që në gjuhen teknike quhet HD (hapësirë drite) do të jetë 140 metra. Ura mbi liqenin e Fierzës në hyrje të qytetit Kukësit është një ndër veprat më të vështira inxhinierike në autostradën Durrës-Kukës-Morinë, pas tunelit të Kalimashit. ”Zgjidhjet e këtij projekti kanë qenë mjaft të vështira, por bashkëpunimi me kompaninë kroate IGH bëri të mundur që t’ia dalim mbanë, duke përfunduar projektin në një periudhë 8-mujore”, shprehet bashkëprojektuesi Faruk Kaba.