22:41 / E Premte, 08 Mars 2019 / indeksADMonline

“Platforma për Dialogun nuk parasheh mosnegocim të territorit, delegacioni nuk përmbushi zotimet e proklamuara”

Kuvendi i Kosovës, mes kundërshtimeve të shumta e mos prezencë të disa nga partive opozitare, ka miratuar Projektligjin për detyrat dhe kompetencat e delegacionit shtetëror dhe Platformën për dialog me Serbinë.

Projektligji për dialogun mori 58 vota për dhe tri abstenime ndërsa platforma 61 vota për dhe një abstenim.

Mirëpo, për këtë platformë dhe projektligj, njohësit e çështjeve politike kanë kritika të shumta.

Territori i Kosovës, mungesa e një konsensusi të gjerë për dialogun, kompetencat e dialogut dhe institucioneve të tjera në të janë vetëm disa nga çështjet problematike që Taulant Kryeziu nga Instituti Epik, ka ndarë për Indeksonline.

Kryeziu tha se në platformë dhe ligj nuk janë përmbushur shumica e zotimeve të bëra nga përfaqësuesit e saj.

Sipas tij, edhe pas miratimit të kësaj platformë ekziston rrezikshmëri e lartë që territori të jetë objekt diskutimi me Serbinë.

“Mendoj që një gjë e tillë nuk është parandaluar në mënyrë shprehimore, pra të thuhet në mënyrë të shkoqitur dhe të vendoset një lloj rezerve kushtetuese, për çfarëdo institucioni kushtetues i cili zhvillon dialog, që nuk ka të drejtë që të jetë objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës, një paragraf i tillë nuk gjendet në platformë. Prandaj ende ka rrezikshmëri që territori të jetë mundësi, që të jetë objekt diskutimi”.

Për shkak të legjitimitetit të ulët të miratimit të platformës dhe projektligjit, Kryeziu thotë se pozicioni negociues i palës kosovare në dialog është shumë i dobët.

“E dyta është legjitimiteti jashtëzakonisht i ulët i masës që e ka kaluar qoftë platforma qoftë ligjin. Dialogu me Serbinë duhet të ndërtohet në një konsensus që nënkupton një shumicë të kualifikuar në të gjitha fazat e këtij procesi, pra një mbështetje prej 2/3 e votës dhe unë e shoh shumë të dobët pozicioni tonë negociues të palës kosovare duke pa që jashtë këtij procesi 40 vota të deputetëve shqiptar në parlamentin e Kosovës”, tha ai për Indeksonline.

Drejtuesi i Institutit Epik, thotë se delegacioni shtetëror do të jetë etniteti i vetëm që do të zhvillojë negociata me Serbinë ashtu siç është proklamuar.

“Sa i përket ligji, ligji që rregullon fushëveprimin e delegacionit shtetëror ka pasur tri zotime publike që do ta çimentojë që vetëm delegacioni shtetëror do të jetë autoritet i cili do të zhvillojë negociatat, që opozita do të jetë faktor bllokues në këtë proces dhe se funksionimi do të bëhet në bazë të unanimitetit”.

“Asnjë nga këto tri parime nuk është arritur të përmbushet me anë të këtij projektligji, pra nuk do të jetë vetëm delegacioni shtetëror ai që do të zhvillojë negociata por thuhet në bashkëvendim me institucionet e tjera kushtetuese e ne e dimë kush është institucion tjetër kushtetues, pra institucion tjetër kushtetues është edhe presidenti i Republikës dhe pra nuk është parandaluar që edhe dikush tjetër të jetë negociator. Pra nuk është vetëm delegacioni shtetëror i vetëm etnitet siç është proklamuar që do të zhvillojë negociata”, deklaroi ai.

Taulant Kryeziu vëren mangësi edhe në hapësirën e dhënë partive opozitare në këtë delegacion.

Kryeziu thotë se dialogut me Serbinë është duke i munguar legjitimiteti politik dhe legalitetit kushtetues.

“Opozita në kuadër të këtij projektligji ka vetëm katër anëtarë, vendimmarrja brenda grupit të delegacionit shtetëror mbetet me pesë vota e kjo i bie që katër votat e opozitës nuk mund të jenë vota bllokuese të këtij procesi. Legjitimiteti po e ripërsërisë është thënë se do të ndërtohet në bazë të një legjitimitetit të gjerë mirëpo nuk është arrit, nuk mund të kemi legjitimitet të gjerë kur jemi në margjina në votave të 58,61 pra unë këto tri elemente shoh shqetësimin tim dhe po shoh që dialogu po dëmtohet në bazë të premisave kushtetuese dhe po i mungon legjitimiteti politik por edhe legaliteti kushtetues”, tha Kryeziu.

Delegacioni shtetëror i Kosovës udhëhiqet nga kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, nga kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ndërsa anëtarë ka Enver Hoxhajn nga PDK, Avni Arifi nga AAK, Behxhet Pacolli nga AKR, Mahir Jagxhillar nga 6+, Dardan Gashi nga PDK, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy ende të rezervuara për LDK-në dhe VV-në, në të cilën do të mandatohen Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani derisa këto dy subjekte politike të vendosin për emrat.