15:50 / E Premte, 23 Qershor 2023 / k.v

Policia e trafikut shton prezencën në rrugë, kontrolle të rrepta për përdorim të alkoolit (Foto)

Policia e trafikut ka shtuar prezencën e saj në terren për të ofruar siguri në komunikacion. Gjatë javës së fundit, është realizuar aktiviteti sipas planit të ROADPOL 2023 (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore) për të kontrolluar shoferët nëse ata janë nën ndikim të alkoolit, transmeton IndeksOnline.

Për një javë, nga 15 deri me 20 qershor, policia ka realizuar mbi një mijë pika kontrolli ndërsa 181 shoferëve iu është bërë matja e alkoolit ku prej tyre 15 kanë rezultuar duke drejtuar mjetin nën ndikim të alkoolit dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba konform ligjit.

“Në kuadër të javës së aktiviteteve operacionale sipas planit ROADPOL 2023 (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore), që është realizuar nga data 14 deri 20 Qershor 2023, policia ka shtuar prezencën dhe kontrollin në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të kontrollit dhe identifikimit të shoferëve që drejtojnë mjetet nën ndikim të alkoolit, me ç’rast janë realizuar 1008 pika të kontrollit të mjeteve, 181 shoferëve iu është bërë matja e alkoolit ku 15 shoferë kanë rezultuar duke drejtuar mjetin nën ndikim të alkoolit dhe ndaj të njëjtëve janë shqiptuar gjoba”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rikujtojmë se këtë vit, policia e trafikut është tejet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion./IndeksOnline/